>
LETERSISHQIP
Vaso Papaj

Kur Heshtja Fliste Me Sy

Zhveshur qeshë. Më veshe pa më pyetur si e pse.
E që atëherë të adhurova.
Lodhur, cfilitur, ndave zemrën me mua pa pyetur rrufè,
Ndaj pa ty një ditë s’ jetova.
Dhe mbetëm njerëz mes luftës absurde, krejt të verbër,
Që s’njohu një princip.
Po si ish e mundur, mike, edhe pse, pa qenë kurrë i egër,
Atëherë bëheshe armik?

Kthehesha pis dikur, pluhur gize. Ti më ke larë me lot,
E si mund ta harroja?
Në të ftohtë këmbët m’i ngrohje me frymë, me flokë
Edhe kur s’t’a kërkoja.
Futur në trupat e njëri tjetrit si të ishim futur në kishë,
Ndaj rilindëm dhe një herë.
Po si ish e mundur, mike, kjo historia jonë, më thuaj, ç’ish?
Ku e gjetëm këtë vlerë?

Se mes një bote-burg, ku të vuaje ishte zakon i vjetër,
U gjendëm një ditë të dy.
Dhe u dashuruan heshtjet tona, s’pyetën për lugetër
Mes heshtjes që të fliste me sy.
Dhe bëmë të rriteshin një ditë, të mbarë fëmijët tanë,
Me virtyt, dituri, sinqeritet.
Të pamundurën e bëmë të mundur, tërë mirësinë e dhamë.
Besonim te vlera e vërtetë.