>
LETERSISHQIP
Vaso Papaj

Shi Vjeshte

Shi vjeshte e mbyti mëngjesin,
E degdisi diellin diku.
Mbi premtimet po bie, mbi mijëra premtime,
T’i freskojë, që një ditë mos të mbeteshin flu.

Shi mbi gjethet e arta,
Që kanë ngritur flamurin e bardhë të dorëzimit.
Shi mbi iluzionet tona të zjarrta,
Kërkon dhe gjurmët t’ua fshehë prej dështimit.
Shi mbi shpresat që kanë ftohtë
E dridhen veshur vetëm me lot.

Rigon për të gjithë ne shi vjeshte.
E ne mbetemi
Muzikantë të një orkestre,
që prodhon vetëm heshtje.
Shi dhe mbi muret e zemrave tona,
Që kthehen në humbëtira,
Ku fiton vetëm errësira…

Së fundi, shi dhe mbi ne të dy.
Ti më thua: shiu është dashuri…
E unë të ndjek: Është një akt besimi i ri
Bota sikur ka ndalur për një çast rrotullimin…
Unë hesht
Dhe heshtja, si duket, ka frenuar mendimin.

Të shoh ty,
Anoj çadrën…
Le të lagemi tërësisht, gjer brënda në sy.
Marr frymë thellë,
Kujtoj një puthje të gjatë… dikur.
Befas shiu u tremb,
Mes reve doli një diell më i fortë se kurrë.