>
LETERSISHQIP
Vaso Papaj

Rrok Nate

Me Tina Turner dhe dom Nikoll Kaçorrin*
Do të t’marr një natë prej dore,
Të harbojmë, ta çmendim Bërrylin**.
Ti s’je bronz, s’je as shtatore,
Je e gjallë dhe më nget syrin.

Dekoltenë edhe kurrizin
Ia ke kthyer dom Nikollës,
Eja Tinë, mos ta bezdisim,
Të madhin firmatar të Vlorës...

Përqafomë, kam shije kripe,
Rrokun bashkë do ta këndojmë.
Këtë magji e njoh ndër vite,
Net të rrokim, ditë të zgjojmë.

Të këndojmë atë duetin,
Që flet për ndodhì të jetës,
Ndarje dhe bashkime tretin,
Shpirtra pas dashurisë mbetës.

Do të t’ngul Tina, tek Bërryli.
Dom Nikollën ta lemë vetëm.
Ndoshta zbret nga piedestali
E vendos të marrë formë tjetër.

Hedh ca hapa mbi barishte.
Shtatin ngre mbi tokën mëmë.
Me lahutë e jehonë Fishte,
Errësirës t’i bëjë gjëmë.

Njerëzor e kam ëndërrimin,
Një rrok me ndodhì të jetës.
Dom Nikoll ma fal bekimin…
Sytë ia puth veç së vërtetës.
* Nën kryeministër në qeverinë e pavarësisë. Ka një bust mikroskopik në një lulishte të Durrësit. Para tij është vendosur monumenti në këmbë i Tina Turnerit, që i ka kthyer kurrizin!?
**Zonë bregdetare turistike në qytet.