>
LETERSISHQIP

Vitet

Vitet… rresht si zogjtë, telave dimërorë,
Lagur nga rrebeshët, s’i bëj kurrë fajtorë.
Vitet, që kullojnë lot e djersë mërgimi,
Vitet, që kërkojnë veç një fjalë ngushëllimi.

Vitet, si ca trupa që shpirtin kanë humbur,
Ngjajnë me trenat bosh, stacioneve përgjumur.
Vitet… në kërkim të oazeve të qeta,
Shpirtin ma përndezën, mallin në ‘ta treta.

Vitet… humbur ngjyrën, si ikona të vjetra.
Ndalem ballë për ballë, sa tek njëra tjetra.
Frute dashurie, dritë që përzë hijen.
Tërë rrugët e tyre tek ti po më shpien.