>
LETERSISHQIP
Vaso Papaj

Shpend I Ngujuar

Poetit martir Havzi Nela
Erdh’ pranvera, ëndrra jote,
Të kërkoj andej këtej.
Nuk lashë sheshe të kësaj toke,
Vëlla poet, kërkund s’të gjej.

Po kërkoj një rreze dielli,
Një të kthjellët, të flladitur.
Përmbi supe të t’përkëdheli,
Të të ngrohë shpirtin e fikur.

Përmbi bronx ca pika vese,
Të të njomin dhe qerpikun.
Tharë në pranga, pa mëngjese,
Vëlla poet, sa shumë ke pritur.

Robërinë të dhanë për nuse
Dhe të lanë pa vajzë, pa djalë.
Kostandin tërë jetën ngryse,
Për lirinë me besë mbi kalë.

Jo, poet, një tufë është pak,
Një kurorë do t’kesh prej meje.
Vargje shpirti bashkë me gjak,
Pse më rrjedhin kështu ndër deje?...

Vdekja për liri s’të tundi.
Shkrove vargje të pranguar.
Një tufan lubi s’të mundi,
Ah, poet, shpend i ngujuar.

Do t’a lidh këtu këtë shesh
Me litar në grykë shtërnguar.
Gjersa mal me bronx të jesh,
Në mes tij, lirinë në duar.

Më mungon, më ke munguar.
Dua të të shoh atje!
Të çlirosh lirinë e çmuar.
Vargu yt dhe detin ngre.

Me kravatë lidhur tek sytë,
Një litar varur në qiell,
Vëlla poet nuk ke të dytë,
Je një yll e je një diell.