>
LETERSISHQIP
Viktoria Xhako

Bluja E Syve Te Tu

Shtatëmbëdhjetë të pafajshme pranvera
Tundte era mbi kaçurrelat e mi.
Melodia e qeshjes sime gazmore
Preku xhamat e barit ku rrije ti.

Në sy u pamë, çuditur, për një çast.
E kafenjta e syve më ngriu hutuar
Në detin blu të thellë të syve të tu.
Pastaj fluturoi mjaft e turbulluar.

Sërishmi u ktheva tek i qeti bar,
Por sytë blu kishin nisur udhëtimin.
Treni i jetës i çonte larg me vrap
Duke m`i lënë zemrës pritjen, trishtimin.

Kalërova unë në ajrin e ngrirë,
Me krahë të thyer, me ëndrra të vrara.
Gaforreditët ma copëtonin zemrën.
Blun` e thellë kërkoja, ikte përpara.

Kanxhat ditëgaforre më morën me vete.
Më zhytën, më nxorën në të çuditshme skela.
Çdo frymëmarrje blunë kërkonte me etje.
...
...Befas vezulloi kur më ikën pranverat.

Shpërthyen vullkanet, u thyen horizontet,
Çelën petalet e luleve në dëborë.
Yjtë e qiellit sytë m`i veshën dritë.
Zgjova agimet me zemrën ëndërr në dorë.

Sytë laj çdo ditë me blunë qiellore.
I fshi me petalet e lules dashuri.
I lutem lëndinës për pak vend të blertë,
Të mbjell aty sërishmi lastarin e ri.

Po ti, D. a më njohe?
E martë 21 dhjetor 2010 ora 00:30