>
LETERSISHQIP
Viktoria Xhako

Enigma

Nuk di të them, nëse e prisja që të vinte.
Nuk di të them, se pse nuk i telefonova përsëri.
Nuk di të them se pse një ditë si rastësisht nuk mora makinën,
Dhe po ashtu si rastësisht të hyja në studion e tij.

Por di të të them se besimi tek unë ka zënë vend,
Në gjithë këtë vorbull çoroditëse të padijes,
Edhe pse koha ma zhvoksh kujtimin tënd,
Me dorë të pamëshirshme çdo ditë derdh harresë,
Si helm në veshin e mbretit të fjetur,
Ti kurrë nuk do ta shohësh të ikjes fytyrë,
Je qetësia, i dashur, e jetës sime,
Unë të shoh tingull, të ndiej ngjyrë.
E martë 11 nëntor 2014 ora 13:31