>
LETERSISHQIP
Xheva Salihaj

Nëna, Rezistencë E Dhimbjeve Të Forta

Nënë o nënë!
Më thuaj si kështu, fare pa pritur ike prej meje​
sëbashkë me engjëjt
në të pafundmin e kozmosit fluturim?
Tashmë e mbuluar tërësisht
me vellon e bardhë të një reje
e lagur ajo, prej lotëve të shiut të saj,
por më keq dhe me lotin tim.

Unë tashmë nuk e di
kush ish ai që më dha mandatën,
Ahhh.. kjo mandata e vdekjes,
e rëndë simbol, fatkeqësie!
Veçse di që në ato çaste
pa pritur dita krejt u err e u bë natë
Teksa u nisa për te ty,
më kot të paskam pritur të më vije.

Deomos ti luftoje për jetën,
sikurse në jetë, na solle me të qara
Përmes dhimbjeve të tua,
asaj i dhe, të madhin kuptim
Por ja që dhe ndodhëka
që të qarat e mia, dikur si foshnjë
Nuk mu ndanë së shoqëruari,
në më të madhin hidhërim.

Veçse jeta është e çuditëshme
me rregullat e rrepta të saj.
Ajo nuk më pyeti kurrë se ç’ndeja unë për ty
në timen zemër
Por me siguri, ti për mua për pak çaste
ndalove kohën e pastaj
Përmes lotëve që rreshkitën,
pa folur më thirre lehtë në emër

Ehh sa shumë e shumë gjera të pabesueshme
mbart kjo botë!
Mbase dhe sot se si ndodhi
nuk mund të kuptoj dot kurrësesi
Veç shpirtin nënat kurrë nuk e japin,
por dhe ai nuk del dot
Nëse nuk ndien mbi ballë, dorën e vendosur,
prej të vetit fëmi

Nënë! Nuk e di, por me hijen e vdekjes,
pse mu duke aq e bukur?
Lotin e fundit teksa pashë të rrokullisej
ngadalë mbi të zbehtën faqe

Jo, jo nuk e fshiva aspak,
por në gjunjë u ula atë për ta puthur
Dhe pse luftove për jetën,
në emër të saj u prehsh o nënë në paqe!

Nënë e mira nënë!
Kushedi sa herë për ne, ty tu drodh buza te porta
Nënë e gëzimeve të mëdha,
por dhe rezistencë e dhimbjeve të forta!
22 maj 2020