>
LETERSISHQIP
Alban Tartari

Post-Mortum

Si një bust mermeri
zbardhon tash pranë meje,
si një ortek që mali poshtë e ka
përzënë,
në një shpirt nuk gjallojnë dot
dhe gazi dhe vreri,
kjo dashuri-gropë
dy të vdekur nuk i nxënë.
Pas vitesh gjeneralët do gërmojnë
për bustet e mermertë;
unë e ti dezertuam qyshkur.
Dashuria,
na ra duarsh si një kupë e qelqtë.
Pastaj vdiqëm.
Veç kjo bardhësi e dreqtë
na pështolli në qivur.
Mbi bustet tona që do zbukurojnë muzetë
do shkruhet:
"Dashuria s'kaloi kurrë mbi këta gurë"...
Botuar në gazetën "Tirana Observer", 2004