>
LETERSISHQIP
Alban Tartari

Mbas Tëndes Ikje

Shirat s'bien më bukur
si dikur,
dhe rrugëve gështenja-shitësit
bërtasin të lodhur e të mërzitur.
Shumë aksidente ndodhen këto ditë në qytet,
Dhe gazetat gënjejnë për të shitur...
Inflacioni vazhdon të ngrihet,
Antenat e lagura të televizorëve,
përcjellin shëmtinë
dhe pëllumbat nuk vijnë më
për vizitë në ballkonin tim.
Skuadra jonë e preferuar
veç po humb,
dritat vijnë me orar,
dhe uji veç një herë në ditë.
Rrugët janë mbushur me banditë e horra,
sheshet me politikanë dështakë
dhe parti të droguara e anemike!
Kjo qeveri duhet të japë dorëheqjen,
sepse ti ike...
Ankara, Dhjetor 2000