>
LETERSISHQIP

Rrugëve

tash jam larg diku, Larg teje, larg vedi... - A. Shkreli
I

Ecim, megjithatë.
Me udhët ngatërruar nëpër këmbë
udhët si litarë të gjatë
këmbët na i lidhën nyjë
në kthesat e jetës së shtrembër,
një pret të dalë
e tjetri të hyjë
nuk di ku kam majë e thembër,
dhe jeta në ç'udhëkryq do më shtyjë.

Pak nga pak
i harroj udhëkryqet
ato që kaluam vetëm e me të tjerë,
ku lamë rininë-vitet pa thinja
i ngatërroj tashmë trokitjet në derë
në zemrat
në mendjet
në shpirtrat xunkth si dëllinja...

Dhe ngatërrohemi udhëve
e udhëve pengohemi,
dikush na ngre
me shkelm na bie tjetri
dhe prapë harrojmë e me botën dashurohemi,
e fshijmë mendjeje atë që ka thënë i vjetri:
"dynjaja kujt i mbeti!?!". Alban Tartari
48
prapë nisemi udhëve, me baulet ngarkuar,
me halle
me malle
me vjet,
dhe thinjat kokën na kanë zaptuar,
si malet
zbardhur
nga bora
nga koha
nga retë.

Ecim, megjithatë.
Prapë endemi pafundësisht rrugëve,
nyje na i lidhën
këmbët këto të shkreta,
sa më shumë e duam
aq më shumë...frymën na zë jeta.


II

"Mos vdis, se mbas shirave arën e mbushi bari..." - D. Agolli

Gjurmë devesh
kam tej e tej shpirtit.
mbi flokë pluhuron
rërë e shkretëtirës,
këmbët plagë me dhembin
plagët e përgjakura të Krishtit,
tash tri ditë
tash tri net
vdes e ngjallem tinëz.

Shkoj e vij botësh,
kthehem vrulltas
rrugëve vdes
rrugëve ngjallem.
ndërsa me përcjellin mbas shpine
sytë e qulltë
që s'di kur do thahen,
si pellgje në janar a shkurt.

Vdes sa herë që
shkoj këndej.
Kur marr heshturaz lutjet e gjyshes;
Bekimin...
dhe nëpër gjurmë devesh
shpirtit tej e tej,
çapitem si Muhamedi
nën thesin që mbushi hidhërimi.

Karvanët më shkojnë
tinëz nëpër shpirt.
Unë iki.
Tash tri ditë
tash tri net
vdes e ngjallem
trup plagë si Jezu Krishti
zemër copë si profeti Muhamet.

Më dëgjon?
Jam ende rrugëve.
Si Moisiu mbështetur
mbi shkop iki...
Iki krrusarak muzgjeve.

III

Kthehem e stërkthehem
me trena të prishur harresash
me këpucët dhe mendimet
tërë baltë
vij e stërvij
as iki, as rri
nisem
për tu tretur sërish n'arrati
në dritë mëngjesesh,
nëpër botën e vrazhdë

Dehem nga ëmbëlsia jote
ti je vera e ndaluar
ti je çmenduria - mëkati!
Me këmbët që më merren
rrugicave të tua kotem
të zgjoj, ëndrrave të nisemi
të degdisemi,
Kali jashtë është gati...

Kthehem e stërkthehem
vij esëll dhe dehem
se rrugët më lodhën më tretën
si një pikëz loti
në gushën tënde...
Më lër të prehem
hejbet e mallit rrugëve mbetën
hejbet mbushur qëmoti.

Të marr për qafe,
si bleta një lule,
dhe sytë e tu shohin kaltërsisht detin.

Në sytë e tu enden rrugët e mia
Sidbad Detari do ma kish zilinë
Marko Polot në këta sy
kërkojnë të vdesin.

Ja ku kthehem e stërkthehem
se edhe vetmitë një ditë vdesin
rrugëve pelerinën ma merr era,
Ja, aty, te dera,
Sytë e ty kaltërsisht më presin...
2000-2001 Ankara-Tiranë