>
LETERSISHQIP
Alban Tartari

Ditë Dhjetori

Eja,
atëherë kur era të gremisë
mes baltës dhe gjethet e fundit,
kur lumenjtë kaltëroshë
(dhe sytë e mi) të bëhen turbullirë,
kur pemët e zhveshura paturpësisht
degët lakuriqe të tundin,
kur pellgjet mes kalldrëmit akull të kenë ngrirë.

Mbërrij,
me hënën ndriçuar muzgjeve,
kur veshët ushtojnë
prej zhurmës së makinave,
kur kurrkush mos të të njohë më rrugëve,
shfaqu si afishe laroshe në xhamat e vitrinave.

Bujt,
atëherë kur bota e ndyrë
në fytyrë të përplas derën,
kur si xhind i xhindosur duart të të dridhen,
s'ka gjë!
sill me vete dhe shtrëngatat e erën
dhe kujtimet hidhërake që s'hidhen...

Hyr,
se në qilar kam ruajtur për ty një torbë me mollë,
dhe mbi prush dy misra të pjekur,
do të jap bluzën time se je veshur hollë,
e në mesnatë si lugatë
rreth oxhakut do hamë bukë të thekur.
Avitu,
kur ditët të fillojë te numërojë dhjetori,
kur lumenjtë dhe sytë e mi
kaltëroshë të turbullohen,
tani, se malli si dreqi na mori,
jo atëherë kur emrat në këtë botë të na harrohen.

Eja,
me muzgun e zverdhur nga hëna,
para se bukët e thekura të ftohen!


***

E hedh veten nëpër natë
Turravrap!
Ikanak i dështuar në këtë terr vjeshtak,
Derdh hirin e ndjenjës mbi qytet
Neron, merre zemrën time,
Digje prapë!

E flak veten nëpër udhët pa njeri
Fatzi!
Dështak i ikur në këtë vjeshtë gri,
Nxirre shpirtin tim me thonj kraharorit,
Mbyte përsëri!

E përzë veten tej nëpër jetë,
Ku të jetë!
Atje ku dhembja puth njeriun e shkretë,
Merre dashurinë që ta pashë peng,
Dhe kësaj here, vraje vërtet!
Tiranë 25 korrik 2005