>
LETERSISHQIP

Sytë E Vlorës

Dua të lahem
në dy sytë e tu të kaltër,
të pllaqurit duart si
fëmijë një vjeç,
të rrëzohem
të gjakosem në brigjet e ashpër,
dhe për mua shkëmbit, detit
t`i vijë keq.

Dua të kridhem
në dy sytë e tu të kaltër,
të më kërkojnë pastaj njerëzit
përreth duke thërritur,
e unë të fshihem si djalli i prapë,
aty poshtë nën ujë:
te iriqët gjembangritur.

Dua të mbytem
në dy dytë e tu të kaltër
dhe mbi ujë të m'i bëjnë
homazhet, nderimet.
aty i shtrirë mbi zallin e pastër,
të dëgjoj si labet
më qajnë me vajtime.

Dua të lahem
në dy sytë e tu të kaltër
të qesh me ga-ga-ga si
fëmijë një vjeç,
e të më kërkojnë tek brigjet e ashpër
kur të më gjejnë të thonë:
po ku humbe mor dreq?!?`.

E s`do më rrahin,
se për mua do t`ju vijë keq.