>
LETERSISHQIP
Luan Rama

Në Tren, Paris-Dauville

Ish të dashurat përcjellin
Hugo-in në Pantheon
"Hugo vdiq!" – lajmëruan kambanat e rënda të katedrales "Notre-Dame",
ndërkohë që trupi i tij nisej nga "Harku i Triumfit"
me kuajt përpara veshur në zi,
populli i heshtur shkonte pas poetit
ta çonte në strehën e "Pantheon"-it,
në tempullin e kurajos e të lavdisë,
dy milonë këmbë rëndonin mbi trupin e drithëruar të Parisit,
një milion zemra e ndiqnin atë në rradhë,
nga turma njerëzit tundin kapelet, dhembjet, shamitë,
mes tyre dhe të dashurat e tij të dikurshme,
Louise, Leone, Blanche, Isabelle, 1
ndërkohë qe e dashura e tij e përjetshme Juliette
ajo që e ndoqi në mërgim, gjer në Hauteville House,
kishte vite që kishte vdekur…
«Victor-i im!» pëshpëriste në lotë e bukura Esther,
– letrat e tua që digjnin, i ruaj ende,
letrat që shkrove për gjinjtë e mi të bardhë,
ti thoje se kishin erë jargavani,
ndërsa unë si e çmendur ngjeshja buzët mbi gjoksin tënd,
mbi duar, qafën dhe sytë e ty",
"Ja tek shkon heroi i Francës", thoshte populli
"Lavdia dhe britma jonë", thonin këmbëzbathurit,
dashuria jonë e madhe shtonin ish të dashurat,
Ginette vraponte të shihte kortezhin për herë të fundit
Charlotte pëshpëriste ende nën zë
"Victor, i ëmbli im",
Eleonore qëndronte pa folur si statujë,
«Ti më mësove të dua», pëshpëriti më së fundi ajo,
thuamë dhe njëherë si dikur,
«që jam jeta e jetës tënde»,
thuamë, folmë ëngjëlli im i kuq,
pëllumbi im i bardhë,
«Poeti im bujar po shkon symbyllur…» përshendeste Henrietta
e hirtë dhe e thinjur akoma më shumë për të dashurin e saj,
«Ti më shpëtove nga zija dhe dëshpërimi,
më hape dritaren e madhe të shoh botën,
më dhe kurajon të shkoj në rrugën që ngjitet"
"ndiq diellin" më the, "ndiq dritën"
«S’ka gjë, le të t’i vrasë sytë »…
Dy milionë këmbë shkonin mbi trupin e vrarë të Parisit
që dergjej si gjinjtë e një gruaje të ve,
një milion zemra e ndiqnin nga pas,
të rënda dhe të trishta zemrat e të dashurave
që ende i këndonin nën zë dashurisë së tij:
"Le të jenë dehjet e puthjet tona shtrati yt i fundmë
që vdekja të mos mundë të rrëmbejë"…

«Todesfuge» recitohet
në Bundenstag