>
LETERSISHQIP
Marjeta Shatro Rrapaj

Ndodh

Ndodh,
që shpirti të trazohet prej fjalëve,
që buzëqeshja të largohet fare
e loti të flejë në sytë e zbehur.
Mjegulla të endet realitetit pa dritë,
kurse buzët të pëshpëritin lutje,
veç për botën me diell,
duke hedhur krahëve retë e trishtimit,
që fshehin kaltërsinë e qiellit
e vargjet të ziejnë në deje
që ditët e zymta të largohen shpejt
e ylberi i fantazisë të puth erën
që sjell melodinë e radhës
për dritën e fjalës së shenjtë
që mundohet t'i vishet shpirtit
e ai e qëndis në sytë që vezullojnë
në simfoninë e ndjenjave
për panoramën e lumturisë në detaje,
magjepsur nga emocionet e pafundme
në skenën e jetës kthyer në amfiteatër,
ku legjenda vazhdon të luhet
nga fryma pa fre
në ëndrrat më të bukura
takuar përsëri Universit
në prologun e lojës së impulseve
të teksteve të pashkruara ende...