>
LETERSISHQIP
Marjeta Shatro Rrapaj

Zhgënjim

Do të mbarojë edhe kjo verë, bashkë me një pjesë të jetës sime,
ku frika pi dëshirat në jehonën e vdekjes
e vetmia, si zog pa krahë
zbulon botën nga fjalët
në metamorfozën e kohës,
në turbullimin e ajrit,
në shqetësimin e dritës,
ku fryn era mizore e zhgënjimit.
Nata vjen e ngadaltë
njeh brengat e mia,
sheh dhe lotët e mi,
fjalët që ia fal duke pëshpëritur
në zbrazëtinë e shekullit, që gërvisht shpirtin me kujtimet e së shkuarës,
rrjedhur, si lumë i turbullt gjakun tim.
Dhe mendimet i ka mbuluar heshtja
e mbi lëkurë ka ngrirë puthja jote,
ritual i pashmangshëm.
kohë, që nuk di të përsëritet
ndoshta është shumë vonë.
për tu rikthyer sërish në parkun e dikurshëm
braktisur nga shtegëtimi i gjatë ndër të tjera ngrohtësi qiejsh.
E kaluara, kokën nuk e kthen pas.
kujtimet do i fshijë harresa.
larg njëri-tjetrit,
do të humbasim nëpër mjegullën e viteve,
e do jemi veç dy të huaj,
që largësinë e dy botëve nuk e kuptuam kurrë.