>
LETERSISHQIP
Marjol Ago

Une E Di Se Ti Do Vish

Ti shkove, si notat e një melodie pranvere,
Që ngjitet lart për t’u humbur në gjirin e errësirës.
Si një ditë vere e djegur nga dielli,
Duke lënë pas veç hije kujtimesh.

Ti shkove, si një vjeshtë e lagur nga shi,
Ku çdo pikë reshje fshinte gjurmët e tua,
Ndërsa rrëshqisje larg,
Nëpër rrugët e mendimeve të mia.

Ti shkove, si një dimër i ftohtë,
Që la pas boshllëkun e heshtjes së tij,
Mua më le ndjenjën e akullt,
Një ftohtësi që nuk shuhet lehtë.

Por unë e di se ti do vish.
Çdo gjë që largohet, ndoshta kthehet,
Sepse lëvizja e jetës është ciklike.
Kur? Nuk dihet...
A është koha ajo që vendos,
Apo fati, që fsheh përgjigjet në heshtje.