>
LETERSISHQIP
Ndue Ukaj

Emancipim

Në skajin e mendjes imagjinata rënkon
për kalciumin e munguar: dashurinë.
Por gjen fjalën
që bie si dëshpërimi në krahët e erës
dhe prish harmoninë e natyrës
e cila dëfton se përnjëmend nuk ekziston
"Republika e ndërgjegjes" - siç kërkoi poeti S. Hanny.

Unë u lodha me predikimet
për luftën dhe paqen
betejën mes të mirës dhe të keqes
të vjetër sa njeriu.

Në këtë ditë me shi dhe një qiell të mërzitur
ec rrugëve të panjohura.
Nuk i lexoj kronikat për kolonat e gjata
të atyre që vdiqën në dëshpërim.
As të atyre që presin para portave të zotave të rrejshëm.
Ata gjithmonë presin me duart e mbushura me shpresa.
Një ditë për ta.
Për dëshirat e tyre.

Atëherë ti kërkove që të përvetësohej kjo ditë
dhe harku i gëzimit që rritej mbi mua.

Të kujtohet pastaj si kalëruam nëpër ajër
dhe e mbushëm qiellin me pezmatim
ky vollëm hidhërimin e kohës
derisa një ditë na kapi hareja
për një triumf madhështor
në ditën e festës pa fjalë.
Gjithmonë diçka mungon, 2017