>
LETERSISHQIP
Ndue Ukaj

Ëndrra E Perandorit

Të gjithë frikësohen nga ëndrrat dhe për këtë u binda kur dëgjova për një perandor të madh, që s’i përkiste kohëve shumë të largëta dhe as shumë të reja, të cilit një ëndërr ia kishte copëtuar zemrën aq shumë sa që e kishte çuar drejt vdekjes. Krejt kjo kishte ndodhur në një prill të ftohtë që s’mbahej mend nga njeri i gjallë dhe në një ditë kur perandori kishte mbetur i vetëm në shtëpi.

Njerëzit – as atëherë dhe as sot – nuk mund të besonin se perandori, njeri shumë i fuqishëm, para të cilit përulen i madhe dhe i vogël, mund të mbetej qyqe vetëm në pallatin perandorak, por ja që një gjë e tillë kishte ndodhë dhe ajo natë për të u kthye në natë mizore.

Atëbotë, në vend bëheshin aktivitet për të shënuar njëzetvjetorin e pushtetit të tij fuqiplotë, lavdia e të cilit, thuhej me zë të lartë, ishte përjetësuar kudo.

Ishte pranverë dhe ditët ishin shumtë të ftohta, por për këtë s’fliste askush. Në të kundërtën, njerëzit kishin një shqetësim mizor dhe flisnin vetëm për lavdi, pas së cilës ngarendnin turma pafund. Meqë ishte vit jubilar, perandori qe bërë më dorëlirë dhe mirënjohjet e dekoratat i shpërndante me lehtësi. Dhe të paktë ishin ata që donin të mbetnin pa një të tillë dhe kushdo nuk ngarende pas lavdisë, nuk shihej mirë në sytë e të tjerëve. Madje, kjo kishte bërë që dikush atë pranverë ta pagëzonte si stina e dekoratave, por kishte edhe të tillë, të paktë, që thoshin se kjo ishte stina e mizorive. Me siguri – ato dite ishte shumë vështirë të rezistoje kundrejt euforisë së lavdisë, ndaj pak kush donte të rrinte mënjana dhe të mos bëhej hisedarë në ato që quheshin merita historike për vendin. Me siguri, aty këtu kishte edhe të tillë, që mezi prisnin të kryenin punët e tyre dhe të çliroheshin nga njëzet vitet e kaluara. Të tillët, të përkorë, shkonin në shtëpi, mbyllnin dyert e dritaret dhe fluturonin në mbretërinë e gjumit, të vetmen vend ku sytë e tyre mund të ëndërronin ç’të donin.

Gjysmë pranvere e shkalafendur – tha i mërzitur me motin e mjegullt – zyrtari i dytë i lartë në pushtetin e perandorit, teksa shëtiste bashkë me të nëpër kopsht. Vërtet, pranvera kishte ardhur, por njerëzit dhe toka nuk ishin ngrohur, kurse malet përreth ishin të mbuluara me borë dhe lulet çelnin me shumë zor nëpër acar e mbetje dimërore.

Atë ditë qielli ishte i kthjelltë, por dielli qe me thumba dhe kur u mbyt pas kodrave dhe vendin ia la errësirës, askush s’ u mërzit për të.

Dita kaloi plot zhurmë dhe në mbrëmje punët u ngatërruan, kështu që, perandori mbeti krejt i vetëm në pallatin e madh, të cilën, natyrisht e ruanin roje të porta e jashtëm dhe dy të tjerë, më të besueshëm, te hyrja e brendshme. Gruaja e tij dhe dy fëmijët kishin shkuar në një festë familjare, në një qytet të largët dhe atë natë s’do të ktheheshin.

Në atë ambient të shurdhër, të quajtur pallati perandorak, nuk dëgjohej asgjë, veç të rrahurave të zemrës së perandorit të madh që kishte humbur qetësinë, ndaj edhe mezi priste gjumin. Dhe, kur drita po sosej si një qiri i thyer, ai u përshëndet ftohtë me zyrtarët e fundit të pallatit dhe menjëherë përjetoi ndjenja të kundërta, që e tërhiqnin, siç tërheqin dy turma të egërsuara një litar të fortë, ndërkaq, kur i dha dorën zyrtarit të dytë të lartë, një ftohtësi vdekje ia përshkoi trupin tejpërtej. Pastaj, mbylli derën dhe zhurma e çelësit ia këputi dy këmbët.

Kur u bë natë dhe terri mbuloi tokën, siç mbulon një batanije e zezë një kokë të lodhur, ai u kujdes të mbyllte çdo derë e dritare, dhe ngadalë u ngrit në katin e sipërm, ku i pëlqente zakonisht të kalonte orët e vona të natës.

Jashtë pallatit gjithçka ishte e zakonshme, por askush nuk mund ta besonte se perandori atë natë kishte mbetur qyqe vetëm në shtëpi. Sepse, me të ishin të gjithë. Të tillët që e shanin, kur i mbyllin dyert dhe dritaret, por edhe adhuruesit që merrnin funksione dhe dekorata përditë nga dora e tij. Por ja që një natë e tillë ndodhi dhe tani i fuqishmi mund ta kuptonte sa e madhe ishte mbretëria e errësirës dhe ç’ frikë mund të shkaktonte ajo- muret dhe vetmia- fenomene këto të cilat zakonisht soji i tij s’i përjetonte kurrë. Kështu, i turbulluar në shpirt dhe me mendime të sakatuara, ai duhej të duronte derisa të zbardhte dita e re.

Pas pak minutash u gjind në korridorin e madh të shtëpisë, ku mbretëronte qetësi e plotë, aq sa mund të dëgjohej frymëmarrja e rëndë dhe hapat e tij të ngadalshëm. Në atë hapësirë, shikoi rreth e rrotull me ndjenja të përziera; të mirat i faniteshin, kurse të këqijat çonin krye si dallgë në detin e trazuar. Rrinte i heshtur, shikonte përreth dhe pyeste veten: ç’mund të bëjë një perandor i madh dhe i pushtetshëm, kur mbetej vetëm në shtëpi?

Kjo nuk ishte pyetje, por një heshtë mizore.

Në atë turbullirë mendimesh të këqija, këqyri orën dhe pa se koha e gjumit ishte larg, dhe, duke mos ditur ç’të bënte derisa të trokiste ora e gjumit, lëvizte si i hutuari që kërkon diçka dhe s’e di as vetë çka. Dilte herë pas here në dritare dhe vështronte me shumë kujdes lëvizjet nëpër qytet, por një ndjenjë boshësi e gërryente, sidomos kur shihte si rralloheshin dritat dhe hijet e pakta merrnin trajtë fantazmash.

Në një natë të tillë, gjithçka dukej pak, përveç errësirës që ishte shumë dhe e rëndë plumb.
Ora lëvizte me ritmin e zakonshëm në mbretërinë e qetësisë së pallatit, në të cilën ai bënte çmos të mblidhte veten dhe të bënte diçka. Kështu, rreth orës njëzet, doli në dritare edhe donte të shihte hënën, por atë e kishin mbulua re të zeza. Më pas, mori një libër me rrëfime të moçme dhe nuk lexoi më shumë se tri faqe. Pastaj i bëri vetës një meze, me ullinj, pak djathë, mish të tharë dhe një gotë verë, por asgjë nuk hëngri e as gotën e verës nuk e sosi. I dukej sikur terri kishte hyrë thellë në sytë e tij dhe barka mendimeve të tij sulmohej nga dallgë të forta.

Ishte e kotë të besohej se ai mund të çlirohej prej ankthit i asaj nate pa zbardhur dita e re, kështu që, në mendje i vinin pamje të gjithfarshme: fytyra njerëzish që i donte dhe i urrente, shtëpi të ndërtuara fort dhe të tilla që kishin mbetur shkretë. Pastaj, mendja e çoi te jeta e njerëzve nëpër burgje ose te ata që frikësoheshin nga përndjekja.

Dua ta përjetoj ç’domethënë të kalosh një natë, pa shpirt njeriu dhe i rrethuar me mure dhe errësirë – tha dhe mblodhi veten e u çua në këmbë. Me fytyrë të mërrolur, u drejtua kah dritarja, prej ku shihej një pjesë e madhe e qendrës së qytetit. Jashtë, qielli nuk ishte i kthjelltë, ndaj edhe errësira ishte më e dendur dhe më e frikshme se në një natë tjetër, ta zëmë, kur qielli mund të ishte i kthjelltë dhe me yje plot. E, pallati i madh në këto kushte dukej sikur skëterrë e madhe.

Perandorit koka i vlonte nga mendime të çrregullta, që hynin e dilnin si re të trazuara në qiell. Dhe i kredhur në një botë me ndjenja të kundërta, u gëzua kur pa se po afrohej ora e gjumit, një orar që e zbatonte tash e sa kohë. Menjëherë veshi rrobat e gjumit, shikoi edhe njëherë në dritare, prej ku dritat e pakta të qytetit dukeshin të shkalafendur për shkak të mjegullës së çuditshme që nuk shqitej nga toka.

Në këso ditësh, njerëzit ndihen të shkretë – tha me vete- por pak kush mund ta di si ndjeheshin udhëheqësit, perandorët, presidentët, sundimtarët, ata që thuhet se zotërojnë gjithçka. Atë çast, për pak sa nuk bërtiti: edhe ata ndjehen të shkretë, bosh, edhe pse kanë nishan për të bërë nam. Por, pushteti i tyre lidhej me faktin se njerëzit një gjë të tillë nuk e besonin kurrë dhe nuk përpiqeshin as ta mësonin. Dhe kjo ishte ndoshta njëra nga fatkeqësitë më të mëdha të racës njerëzore, që etjen për liri e kanë zhuritëse, por edhe ndjenjat e tyre për t’iu nënshtruar sundimtarëve i kanë euforike.

Gjatë asaj pranvere të ftohtë, në krejt vendin ku ai sundonte, nga mëngjesi deri në orët e vona të mbrëmjes, flitej për lavdi e heronj, ndërkaq, vëmendja e madhe ishte përqendruar te çasti final i vitit jubilar, që në festën e madhe, në sheshin e madh, të vendosej shtatorja e madhe perandorit.

Në të vërtetë, njerëzit- as dje e as sot- kurrë s’e kishin mësuar vërtet ç’ndjente sundimtari në një natë të vetmuar, kur mbetej ai dhe errësira ballëpërballë njëri-tjetrit. Me siguri, sikur ta dinin një gjë të tillë, parullat e tyre do të ishin krejt ndryshe dhe mesazhet krejt të kundërta me ato që zakonisht i mbajnë në duar.



Pak para mesnatës, kur dita e vjetër bëhej gati t’i lëshonte vendin ditës së re, trupi tij i rënduar, fiku dritën dhe iu dorëzua pushtetit të gjumit. Ky ishte pushteti i vetëm në të cilin sundimtarët s’kishin dorë. Nuk vonoi disa minuta dhe perandori u rrëmbye furishëm nga ai pushtet, por nën të qëndroi shumë pak, meqë një ëndërr e keqe e zgjoi pas një orë e disa minutash. Këqyri orën dhe pa se kishte fjetur shumë pak. Ishte krejt ankth dhe ankthi ishte tani më i madh se krejt pushteti perandorak.

Në shtrat qëndroi pa lëvizur dhe pas disa minutash, u çua, fshiu fytyrën, e kur e kujtoi ëndrrën, iu duk se diçka u shemb në kokën e tij. Zemra iu copëtua dhe frika e pushtoi të tërin. Dhe filloi ta urrente vetveten dhe pushtetin e vet, ngaqë njeriu më i pushtetshëm në vend, për një moment u ndie njeriu më fatzi në vend.

I vetëm dhe në atë terr pafund, muret e shtëpisë i dukeshin hijena të uritura që e shikonin dhe prisnin ta shqyenin, dhe ai para së cilit dridhej i madh e i vogël, ato çaste u ndje një hiçgjë.

Mëngjesi ishte larg dhe ai s’dinte ç’të bënte, meqë i dukej se e ndante një humnerë nga dita e re dhe gjatë atyre orëve i dukej sikur gjithçka rrokullisej drejt skëterrës. Dhe një shije e amësht e shponte tejpërtej, teksa vërtitej në mbretërinë e territ të madh dhe me zemrën e copëtuar rikthente momentet e ëndrrës dhe priste lindjen e një dite të re, por ndryshe nga ajo ç’priste populli i tij.

Ai e dinte si nuk ekzistonte ndonjë formulë për të larguar frikën dhe trishtimin, sepse po të ekzistonte një e tillë, perandori do ta kishte i pari.

Kokën ia kishin pushtuar mendimet e zeza, e duke mos ditur ç’të bënte, u çua në këmbë dhe ngadalë lëvizi nëpër shtëpi, ku, ndonëse kishte drita të vogla, i dukej se terri ishte i pafund. Pastaj e rikujtoi sërish ëndrrën.

Kishte parë ëndërr sikur ishte në sheshin e madh të kryeqytetit, në hapësirën e pafund ku ishte mbledhur një turmë e madhe njerëzish që vinin nga gjithë vendi dhe prisnin paraqitjen e tij. Ai ishte i veshur bukur dhe shoqërohej nga shpura e veshur me rroba të zeza. Tepihu ku kalonte ishte i rrethuar me lule dhe me shkronja të mëdha të emrit të tij, e nëpër të ecte kryelartë mes thirrjesh e britmash pafund në ndër e lavd të emrit të tij, aq sa britmat bënë të frikësoheshin zogjtë në qiell, të cilët nëpërmes krrokamave morën arratinë për të gjetur një vend më të qetë. Ai i shikonte zogjtë dhe ecte i buzëqeshur nëpërmes asaj turme drejt podiumit ku, sipas skenarit, do të mbante një fjalim përpara popullit. Porsa doli në foltore, turma shpërtheu në brohorima, por kur mbaroi fjalën, në zemër ndjeu therje të fortë që për pak sa nuk e rrëzoi përtokë.

Ndërkaq, në anën tjetër, në atë eufori, ushtarët që rrinin si të ngrirë, morën urdhra nga gjenerali i madh dhe gjuajtën disa herë në shenjë nderi për të. Pastaj erdhi çasti final: të shpalosej busti i madh i perandorit, por kur u hoq pëlhura që e mbulonte atë, në vend të figurës së tij, u shfaq fytyra e poetit të madh, emri i të cilit ishte skalitur me shkronja të mëdha dhe me ngjyrë ari.

Përnjëherë aty u krijua tollovi e madhe, kurse turma u çorodit krejt. Disa bërtisnin kuku e disa qeshnin sa mundnin, kurse shumica i thyenin parullat që mbanin në dorë dhe shkelnin të egërsuar mbi to me dy këmbë. U dëgjuan edhe fishkëllima, britma dhe aty këtu qeshje me zë të lartë. Bashkëpunëtorët me fytyra të trishtuara, sikur mbi ta të kishte rënë vdekja, vrapuan ta mbulonin shpejt bustin.

Perandori i poshtëruar ishte shtangur dhe i ngjante një statujë ku mund të glaconte çdo zog.

Askush nuk do të imagjinonte një poshtërim kaq të madh për perandorinë, por një gjë e tillë atij ia bëri ëndrra, ndaj s’kishte kujt t’i kërkonte llogari.

Njerëzit nuk mund ta besonin se perandori i fuqishme mund të trishtohej, e më së paku të frikësohej, meqë ishte e paimagjinueshme të mendohej se mund të frikësohej një njeri aq i madh dhe aq i pushtetshëm. Ç’do të bënin qytetarët sikur ta dinin ç’ndjente ai në ato çaste? Do të çoheshin nga gjumi dhe do t’i vërsuleshin pushtetit të tij apo do të flinin në gjumë dhe do të prisnin mëngjesin? Por njerëzit s’dinin gjë, meqë ëndrrat ndodhin në momente intime, kur njeriu futej në pellgun e thellë të territ.

I dërmuar e këqyri orën dhe pa se ishte dy pasmesnate. Me dëshirë t’ia mbathte dika dhe të ikte nga ajo ëndërr mizore, por s’i mund të bënte një perandori veprime aq naive.

Jo – ai e dinte se nuk kishte zgjidhje tjetër, pos të digjej në ferrin e asaj ëndrre, pa e ditur ç’të bënte me vetminë, ëndrrën dhe errësirën deri në mëngjes, kur drita do të pushtonte sërish errësirën e zezë. Ai e dinte se me ëndrra nuk luftohej: as me topa e as me ushtri, ndaj krejt çka mund të bënte ishte të mësohej me të.

Në orët e para të pasmesnatës, populli ishte në gjumë, bashkë me një pjesë të madhe të njerëzimit që flinin dhe prisnin ditën e re. Të njëjtën gjë e priste edhe ai, por jo si ditëve më parë: i gëzuar, plot plane, por i trishtuar si kurrë më parë.

Ora ecte me ritmin e vet, por atij i dukej sikur ishte ndalur diku. Pas disa minutash lëvizjesh u ul në shtrat dhe ndezi dritën e madhe, por ajo s’bëri punë që t’ ia largonte mendimet e zeza.

E ju – nuk mund ta imagjinoni ç’dëshirë kishte perandori atë çast! Ai vërtet nuk dëshironte asgjë tjetër pos të ishte në mbretërinë e errësirës së gjumit, i përqafuar nga dikush i dashur, pa hijen e ëndrrës dhe pa vetminë përvëluese, por gjërat kishin marrë kahe tjetër dhe lumi i mendimeve të tij ishte turbulluar keq.

Perandorit kurrë s’ i kishte ndodhur të lakmonte njerëzit e tjerë, por ato çaste me dëshirë donte të ishte në botën miliona njerëz të thjeshtë që ishin në gjumë dhe shihnin ëndrra të bukura.

Vetëm ai ishte i zgjuar dhe pa dëshirën e tij, ndërkaq, përballë i rrinte figura e poetit që iu shfaq në ëndërr, të cilit ai s’donte t’ia shihte kurrë surratin, as në ndonjë fotografi të zhubravitur, le më në ëndërr dhe në një natë të tillë.

Me siguri, dëshira e vetme e tij atë çast ishte t’i shihte shkëndijat e para të ditës së re, por mëngjesi ishte larg dhe ai e dinte se kurrë nuk do të çlirohej më nga ajo peshë e rëndë që kishte rënë mbi të. Duhej të mësohej më poshtërimin dhe ta mbante ëndrrën në burgun e thellë të zemrës së tij, që të mos bëhej objekt talljesh nga gojëkëqijtë e perandorisë.

Njerëzit mund të thonë se perandori nuk duron poshtërimin dhe çdo kënd që mund ta imagjinojë një gjë të tillë e dënon me ligjet e rrepta të perandorisë, por, kënd ta dënonte ai për një ëndërr poshtëruese. Ai e dinte se ato nuk mund t’i burgoste, ndaj, krejt çka mund të bënte ishte t’i ndrynte në burgun e shpirtit të tij dhe të mësohej të jetonte me poshtërimin.

Ai prej të cilit gjithë njerëzit kishin frikë, tash kishte vetë frikë dhe shihte gozhdat në duart e tij, por s’mund t’i hiqte.

Gjithmonë i kishte urryer ëndrrat dhe kurrë s’kishte pasur intuitë t’i shpjegonte ato, madje kurrë s’kishte dashur të dëgjonte për mesazhet që mund të fshehin ato, por atë natë çuditërisht iu kujtua një ëndërr që ia kishte treguar gruaja, kur e frikësuar i kishte thënë se e kishte parë të larë në gjak, veç dy ditë para se t’i ishin pushkatuar dy bashkëpunëtorë të tij.

Kur je i zgjuar dhe përpëlitesh në shtrat, orët lëvizin tejet ngadalë, ndërkaq, kur ndodh të zgjohesh nga një ëndërr e keqe, atëherë mëngjesi të duket matanë humnere. Orët e mbetura bëheshin përherë e më mizore. Ai u ngrit përsëri nga shtrati dhe bëri hapa krejt të çrregullt nëpër dhomë, dhe, pas pak çastesh u përplas si lis i rrëzuar në shtrat. Nënkrerësja e butë, që ishte punuar veçmas për kokën e tij, iu bë sikur si të ishte punuar nga gurë dhe mbante një kokë të rendë plumb. I dërmuar rrotullohej andej e këndej, duke e lutur gjumin që ta rrëmbente në botën e gjysëmvdekjes, por ai kishte ikë miliona kilometra larg tij.

Pas një kohe u çua nga shtrati, mori dy tableta për dhimbje koke dhe posa i përpiu, i tha vetes: nga ëndrra nuk mund të më ruaj as ushtria, shërbimet e sigurisë dhe pushteti i pafund që zotëroi.



Vetëm kur pa se po afrohej mëngjesi, një ndjenjë gëzimi e përshkoi në trup. Ato çaste iu përgjërua pushtetit të ëmbël të gjumit që ta rrëmbente me vete në paqen e bardhë, por sa shkonte ora kah agimi i ri, mendimet i turbulloheshin edhe më shumë dhe ai ndiente torturë pafund.

Kurrë në jetën e tij nuk kishte ndierë nevojë për duart e vogla të dikujt që në shtëpinë e madhe, në atë dhomë të madhe, në atë shtrat të madh, ta prekte lehtë në krahë, t’ia ledhatonte supet e rënduara dhe t’ia mbyllte sytë e trishtuar. Do t’i mjaftonte edhe dora e rojës që në atë orë, me siguri vdiste për një sy gjumë.

Të pushtohesh nga errësira dhe ëndrra, për të qe njësoj sikur të ishte pushtuar nga një ushtri armike, që pa paralajmërim kishte hyrë në shtëpi, kishte çarmatosur rojet, kishte marrë robër njerëzit e shtëpisë dhe kishte vendosë rregulla të reja.

Duke rrapëllirë nëpër baltën e kujtimeve, atij iu kujtuan rrugët e shumta që kishte bërë për të ardhur në pushtet, shumë miq që s’i kishte më, të burgosur që dergjeshin pafund në burgjet e errëta dhe tjerë të kalbur nën dhe.

Dhe, duke mallkuar e turfulluar, dita e re zbardhi.

Perandori i dërmuar në shpirt dhe i këputur nga lodhja e filloi ditën e re, ku kishte të planifikuara përplot takime, vizita, ftesa, nënshkrime të rëndësishme për miliona njerëz.

Pasi u vesh me një kostum të zi, piu një kafe dhe u gëzua kur dëgjoi zhurmën e derës së zyrtares së lartë të protokollit që mbante shënime për takime dhe mbledhje. Me të u përshëndet ftohtë dha i dha urdhër të rreptë që t’i anulonte të gjitha takimet e asaj dite dhe askënd mos të lejonte të hynte në pallat. Pastaj, shkoi në dhomën e punës dhe mbylli derën, dhe aty qëndroi një kohë të gjatë.

Nuk kishte guxim t’i tregonte askujt ç’ëndërr kishte parë dhe ç’e mundonte aq fort. Me vete thoshte se ajo gjamë ishte vetëm për të dhe duhej ta ndrynte e ta mbante në burgun e thellë të zemrës së tij.

Rreth mesdite, gruaja u kthye në shtëpi dhe vërejti fytyrën e ndryshuar dhe një tis trishtimi në sytë e tij, por një gjë të tillë ai e arsyetoi me motin e lig dhe me gjumin e keq që kishte bërë.

Ai s’mund të imagjinonte t’i tregonte ndokujt atë ëndërr poshtëruese, që mund të përhapej si vetëtima dhe gojëkëqijtë mezi do të prisnin një lajmi të tillë që do të bëhej krye lajm.

E di ti, perandori frikësohet nga një ëndërr- mund të qesëndisej zyrtari i dytë i rëndësishëm dhe ky lajm për pak orë do të përshkonte krejt vendin, deri te rojet kufitare. Prandaj, ai nuk guxonte assesi që ëndrrën ta nxirrte nga burgu i zemrës dhe të tjerët ta kuptonin se me ç’ lehtësi mund të poshtërohej një perandor.

Perandori e dinte mirë se shkenca me zhvillimet marramendëse, nuk kishte arritur të bënte asgjë për t’i shëruar njerëzit nga frika, nga ëndrrat dhe trishtimi që u shkaktojnë ato, ndaj i duhej të mësohej me të.



Histori e kësaj ëndrre u zbulua disa vite pas vdekjes së perandorit dhe në mes të disa shënimeve që u gjeten në rrëmujën e letrave të tij, ku përveç tjerash tregonte sesi nuk ishte pajtuar kurrë me poshtërimin që i kishte shkaktuar ëndrra. Në ato shënime kishte treguar për ditët mizore të atij fundi të prillit të ftohtë, të cilat i kishte kaluar i turbulluar në mendje dhe i dërmuar në shpirt. Kurse, në një vend kishte thënë se soji i sundimtarëve nuk kishin frikë më të madhe sesa nga ëndrrat, ku preheshin dëshirat e ndërgjegjshme dhe të pandërgjegjshme të njeriut, të tilla që mbyteshin përditë nga udhëheqës të këqij si ai.

Disa javë pas asaj nate, siç u kuptua nga shënimet e tij, udhëheqësi qe sëmur rënd, por lajmi qe mbajtur i fshehur deri në momentin kur vdiq. Festa e madhe në nder të tij nuk u organizua kurrë, as busti nuk u shpalos kurrë. Në shënimet e fundit të ditarit të tij, ai kishte treguar se një sëmundje ia gërryente shëndetin dhe për këtë ishte në dijeni vetëm ai dhe mjeku i tij, kurse fjala e fundit që kishte mbetur në mesin e atyre shënimeve ishte "ëndërr e mallkuar". Ndërkaq, ngjitur me të ishte një letër me titull: "Ëndrrat janë të mallkuar, vrastare, sepse të gërryejnë pushtetin dhe të gozhdojnë përditë në kryq, me heshtat e tyre helmuese". Më tej, në letër tregonte se pas asaj nate, asnjëherë nuk ishte ndier mirë, kurse në fund kishte shkruar:

"Ajo ëndërr më futi në botën e mallkuar nga e cila botë nuk kishte mësues të më shpëtonte. Asgjë nuk më ndihmon pushteti e siguria. As kujdesi i shtuar. Që disa javë jam shumë i mërzitur. I hidhëruar me çdo kënd dhe në gjithçka. Takimet me njerëz i kam rralluar. Nuk nënshkruaj asnjë dokument me rëndësi. Nuk kam bërë asnjë vizitë jashtë kryeqytetit.

Ajo ëndërr më kryqëzoi dhe ai prill i pritjeve të mëdha, u kthye në prill mizor. Sa herë zgjohem, më duket se e prek kufomën time, më duket se kam vdekur dhe jam mishëruar në një trup tjetër. Ky nuk është trishtim i zakonshëm, ky është ferr, shumë më përvëlues sesa ferri i Dantes. As muajin maj që e dua shumë s’e përjetova. Nuk shkova në premierën e shfaqjes që e prisja më padurim.

Mjeku më viziton çdo mëngjes dhe më thotë së lëngoj keq. Në fytyrën e tij e kuptoj se shpresë për mua s’ka. Gruaja dhe fëmijët janë të trishtuar dhe duan të dinë nga ç’vuaj, por unë kam vendosur, sa të jam gjallë, të mos nxjerr asgjë nga burgu i zemrës sime. Atë natë mizore dhe atë ëndërr do t’i marr me vete në varr. Tani nuk mund ta di sa do të zgjasë lëngata ime, por më duket se nuk do të pres vjeshtën e artë që e dua shumë. Prej asaj dite kur mbeta vetë në shtëpi, jam i trazuar dhe më duket se një dorë torturuese është brenda meje.

Jashtë gjithçka duket e zakonshme. Njerëzit kanë frikë, por për mrekullinë e sojit tim, ata s’e dinë se edhe perandori ka frikë. Tani e di se askush nuk mund të jetojë duke vrarë ëndrra. As unë s’mund të bëj më asgjë. Më vrau një ëndërr…"