>
LETERSISHQIP
Ndue Ukaj

Godo Nuk Vjen

Është furtunë dhe rruga nga Irlanda është e pakalueshme.
Deti nuk kalohet me hapa t’ vegjël netëve me shi,
Kur vetmia t’ përpinë si toka e plasaritur nga tërmeti.
Kur dhimbja s’ka kohë e as deshifrime shkencore.
Godo nuk vjen. Është vonë dhe pritja e ka molepsë.
Në gjumë t’ rehatshëm i përkund ëndrrat e mia dhe ëndrrat tua.
Godo nuk vjen as nën Pemën e Jetës as në teatrin e çudirave.
Ai bën gjumin e pritjes që s’e kupton koha jote e koha jonë.
Megjithatë ti e pret;
E pret si nusja dhëndrin në shtratin e braktisur.
Dhe ëndërron krahëhapur thesin e mbështjellë me ëndrra
Ku ti i fut duart butësisht, prehesh si nëpër flokët e dashura.
Dhe kërkon ëndrrën tënde që ngatërrohet nëpër gishtërinjtë e gjatë.

Pa pritë një pickim ta shtang trupin dhe dora jote fluturon nga thesi.
Ti fshinë ballin dhe kupton:
Godo nuk vjen e as shikimi i tij enigmatik.
Prapëseprapë s’ bindesh se ëndrra jote mbeti n’ thes,
Nyje e përjetshme si ardhja e Godosë.
Atëherë si vetëtima kalon përtej lumit t’ fjalëve.
Si hapat e tu nëpër ëndrra plot çudira, ku janë rojet e kohës
Që bëjnë zhurmën e jetës në ëndrrën e pritjes.

Megjithatë ti kultivon shpresën se Godo do të vjen.
Jo. Godo nuk vjen.
Ti qan furishëm sa lotët të çelin një përrua
Mes mollëzave tua dhe rrjedhës së tyre pa cak,
Ku tiktaket e zemrës ndjehen sikur hapat e të panjohurit
Në natën e zezë si futa kur troket hidhërimi
Në të cilën edhe Godo do të merrte në thua dhe përplasej keq.
2010