>
LETERSISHQIP
Nikolin Sh. Lëmezhi

Filmi

S’do të frikësohem nga risitë,
megjithëse marramendje do më sjellin,
por si fëmijë do të mahnitem
e të mësoj të jetoj
gjithmonë në mahnitje.
Çdo mëngjes
do të fokusoj figurën e shenjtë të Mësuesit
e do të bëj ndonjë foto kujtim,
që kur t’i mbledh një ditë
të gjitha së bashku
të formoj një film të bukur
ku Regjisori do të jetë Ati,
aktori kryesor Jezusi,
muzika në sfond Shpirti Shenjt:
unë nxënësi.
E do ta shijoj këtë film
deri në fund...

versioni gegnisht përshtatur nga Ndrekë Zalli:

S’do t’frikësohem prej risive,
megjithse marramendje do t’më sjellin,
porsi fmijë do t’mahnitem
e do t’msoj të jetoj
gjithmonë në mahnitje.
Çdo nadje
do t’fokusoj figurën e shejtë të Mësuesit
e do të bâj ndonji foto kujtim,
që kur t’i mbledhi nji ditë
të gjitha bashkë
të formoj nji film të bukur
ku Regjisori do t’jetë Ati,
aktori kryesor Jezusi,
muzika në sfond Shpirti i Shejtë:
unë nxanësi.
E do ta shijoj kyt film
deri në fund...
Troshan, më 11. 04. 2022
Kur Heshtja flet, Poezi,
Enti Botues 《Gjergj Fishta》, Lezhë, Gusht 2022, 67.