>
LETERSISHQIP
Nikolin Sh. Lëmezhi

Një Kërkesë Amshimit

Ah, rrudha shenjtërie,
në fytyrën bujare të një gonxheje,
ç’u ndalët në një çast?!
Ju, o sy plot jetë,
në ballin e një gruaje të vogël-gjigande,
ç’u mbyllët përgjithmonë?!
E ju, o duar të vuajtura,
nga ku buroi vazhdimisht bamirësi,
ç’u ngritë në këtë ditë?!
Përgjigjuni!
Se ne që po pyesim,
jemi të braktisur,
jetimë e të sëmurë,
të drejtuar nga Amshimi,
prej të cilit kërkojmë:
Ju, o rrudha shenjtërie,
Ju, o sy plot jetë,
Ju, o duar të vuajtura;
për të na dhuruar
akoma në këtë shekull,
pak shpresë…

(Kushtuar Nënë Terezës ditën kur Ajo ndërroi jetë)
Shënkoll, më 05. 09. 1977
Nga vëllimi me poezi: Si pika vese, Shkodër 2021, fq. 24.