>
LETERSISHQIP
Rudina Muharremi

Gjuhë

Rrotullohej toka përditë nga agu në ag,
ashtit ku duar të padukshme e kishin vënë,
mbi shpinë qytetërimet me të ndryshme mendime,
që kacavirren në pafundësi muresh të bardhë,
agonisë së trafiqeve…
betejave të shpikura,
heshtjeve që gëlltitin tingëllima
e kraharorin ia shtypnin plot dhimbje.

Dallojnë mes tyre ngjyrat
prej shenjash e intuitës,
lotit e tingujve
të shkruar e të folur…,
Gjuhë, i thonin…
E pergamenët kufijsh makthesh thyer,
i shtoheshin murit të ftohtë
me largësitë prej Greenwich-it

Mirëkuptimi, në skenat e kohës moderne
vizatonte hijet e mendimeve,
vakët shpjegonte evolimin e gjallë,
me kode e mimika, gjuhës më të fshehtë,
tek rrokte gotat…, mbushur me erë.