>
LETERSISHQIP
Rudina Muharremi

Brenda Shpirtit

Udhët buisën përsëri
portave të mbyllura prej akulli,
bota çilte,
frëngjisë së reve,
një rreze me ngulm epej të zbriste
shpirtin ti ngrohte kohës,
që përsipër pa mëshirë e shkelte,
e përtypte.

Veten braktisi mbi krahë pulëbardhash,
fluturoi, pafundësitë t’i cekte,
valës valsin t’ia zgjonte tek jetën gjurmonte,
në njëmijë xhama stërkalash,
e me klithma që ajrin shponte
qiellit kurmin ia preku…
e me bulëza vese,
kthehej të strukej brenda shpirtit….

Prej frikës,
se dëbohej nga edeni,
e bëhej e vdekshme…

Kur malli djeg

Me sy të vocërruar prej lodhjes e lotit
e vitesh mjergulluar,
një grua fisnike
me duart e vogla që përhumben dheut,
pasosur rrëmon përjetime,
oborrin vesh me ngjyra e profume
edhe gurin që pragut qëndron modest,
vetmisë ngujuar,
nën qiellin që mëngjeset ngjyejnë,
horizonteve ku malli djeg…