>
LETERSISHQIP

Frymëmarrim

Elegji
Krahëve të erës,
mëngjesit të dytë
treten të gjitha mendimet,
loti pikon aq' i argjendtë
edhe pse era e shpërndan ngado.

E djeshmja nuk shkruhet aq' lehtë,
mblidhen dhe shtrydhen të gjitha fjalët,
dhimbëshëm shohim të vërtetën
të lidhur me zinxhirë
dhe s'mundemi të vrasim gënjeshtrën.

Ju pyesni përse ne dashurohemi,
këtë pyetje s'ia shtrojmë asnjëherë vetvetes,
flatrat e zemrës lidhen me shpirtin,
përgjigjet janë syve të përlotur.

Memece mbeten të gjitha ditët
sa muajt shpejt puthin njeri-tjetrin,
lotë të margaritar'të mblidhen tek shpirti
fshehur gropave të zemrës.

Krehim fjalët, ledhatojmë mendimet,
realiteti lëviz akrepat e orës,
zërat e ëmbël rrëshqasin foleve
dhe buzët mbeten sterile.

Zërin e ndërgjegjjes
dëgjojmë shpesh në kokë,
nuk humbin lehtë tingujt zanoresh,
Zotit ia dhurojmë përherë nëpër lutje,
pas çdo rrëfimi në mbrëmje.

Pranvera zbraz pusin e ndërgjegjjes,
seleksionon të gjitha veprimet
dhe gjethet kur nisin të bien,
çdo mendim me to nis e vishet.

Stinët shushaten nga era,
sekonda bien në gjumë,
gjumi mbulohet me dhimbje
dhe shpresat ringjallen në dritë.

Për çudi të gjithë heshtim,
kapakun e zemrës nuk e hapim dot,
tek shkruajmë vargje, midis tyre i shfaqim,
qeshim dhe qajmë me lotët nëpër botë.

Jeta gjithmonë është e bukur,
sa e hidhur, sa e zbrazur dhe e mbushur plot,
themi se zgjedhim, por s'dimë të zgjedhim
dhe shpirtin e mbysim nëpër lotë.

Shpesh me gjeste duarsh numërojmë kohën,
e duam kur ikën dhe presim ëndërratat,
lidhemi me jetën gjersa frymëmarrim,
por përsëri gëzojmë çfarë kemi.

Dëshirat mblidhen.
Ëndërrat shtohen.
Sytë dhe nga gëzimi i lotojmë.
Zemrën e prekim nëpër dhimbje,
por jeta gjithmonë vazhdon...