>
LETERSISHQIP

Gjeneralët Pensionistë

-Ah, çfarë kukulle, psherëtiu gjenerali
gishti i madh bëri shenjën e asit
-E mirë Mona, po s’është e jona
ia priti gjenerali tjetër
dhe, sytë kafshuan vithet e femrës.

Dy gjeneralët kishin fituar beteja
me armiq të shpikur dhe femra reale
pushtues, ngadhnjyes, lavdishkruar
që nga yjet e togerit gjer tek të gjeneralit.

Por kishte zbritur koha e humbjeve
nëpër presidiume shoqatash me emra buçitës
që të kujtonin qitjet e topave
rrekeshin ta dëbonin vdekjen e lavdinë…

U shfaq kjo femër e kolme me minifund
shpina e çveshur, veluar me tyl
gjoksi provokues me jakën e hapur
dhe ata e kuptuan…..përkohësisht
s’u mbetej më asgjë për të pushtuar.
Lisbonë, 21 tetor 1998.