>
LETERSISHQIP

Ky Tren I Çmendur!!!

Më zu’ trishtimi i fushave
Që si mjegull mbrëmësore
Bie përmbi dhe.
Tufat e shkurreve, murana
Kanë ngrirë pa shushurimë.
Ujrat e mbetura prej shirave
Mugin pasqyrën e kuqërremtë
Heshtje përmbi dhe.

Tej dritares së trenit shuhet jeta.
Të vetmuarit e vonuar, shpërngulen si hije
Me hapa të rënduar,
Topitur nga trishtimi i mbrëmjes.
U ngrys dita, u ngrys jeta!

Trishtimi dhembjendjellës i së shkuarës
Tinëz hyn tek unë e më squll dëshirat.
Plogështi e kotësisë!
Kaq shpejt, kaq shpejt, kaq shpejt
Trokon ky tren i çmendur
Treni i ditëve e netëve
Që na la vetëm dhimbjen
Për dashuritë e humbura
Për gëzimet, pasionet pa fre
Shkujdesjet!
Rininë.
Tetor 1976