>
LETERSISHQIP

Ikjet

Kryesore Kulturë
September 2, 2016
Poezia “e panjohur” e Teodor Laços (FOTO)
Posted By: S 0 Comment
fq. 12 kryesore
Nga Halil RAMA
Në 80-vjetorin e lindjes “zbulojmë” talentin “e fshehur” të shkrimtarit të madh
(fotot respektive + poezitë, sa të nxeje faqja)
Teodor Laço, me koorpusin e tij letrar, që përfshin më se 50 tituj romanesh, vëllimesh me tregime, dramash, komedish e kujtimesh, zë vend të veçantë në historinë e letërsisë shqipe. Si romancier, tregimtar, dramaturg, komedian, esseist, komentator, opinionist e politolog, ai padyshim njihet nga lexuesi shqiptar, por dhe ai i huaj ku është përkthyer, si një nga kolosët e letrave shqipe.
Por nëse, në këto gjini, Laço radhitet me elitën krijuese të kombit, ai si poet njihet pak. Jo se nuk ka shkruar poezi, por ato i ka ruajtur si “thesare” të laboratorit të tij krijues.
Por pikërisht, në pragun e 80-vjetorit të lindjes së tij, nga labirinthet e këtij laboratori arritëm të zhbirojmë talentin e tij të rrallë edhe në poezi. Poezi të shkruara në harkun kohor të pesë dekadave, përmbajtja e të cilave rrok hapësira të gjera dhe përfshin gjithçka që ka të bëjë me jetën tonë.
Mjafton qoftë edhe kjo përzgjedhje për t’u mrekulluar me poezinë e Laços që është poezi përqëndrimesh dhe me karaktaristika shumë të sakta, përsa i përket formës dhe kompozicionit.
Gjen në këtë cikël tituj shumë intrigues që të bëjnë për vete që në krye të herës. Mendimin e thellë filozofik të këtij gjeniu krijues e dallon qoftë dhe në vargjet ” O, si hesht, si nuk pëlcet zemërimi/I lidhur në prangat e durimit!….”
Në tërësinë e tij, ky cikël (si edhe qindra vjershat e pabotuara të Laços), shpalos profilin poetik të një poeti me ndjeshmëri të lartë, me teknika vjershërimi midis tradicionales dhje modernes e postmodernes, me një pasuri të begatë mjetesh dhe teknikash poetike, me struktura vargjesh e strofash të zhdërvjellëta, që e kthejnë formën në një procedim të mesazhit estetik.
Këto risi të poezisë së tij mund t’i dalloni më së miri në ciklin që përzgjodhëm për botim në disa prej revistave kulturore prestigjioze në vend, të cilat Laço i vlerëson, jo vetëm për larminë tematike të botimeve por edhe për cilësinë e produktivitetin e tyre.
ZEMËRIMI

O, si hesht, si nuk pëlcet zemërimi
I lidhur në prangat e durimit!

Në mokrat e dhëmbëve bluaj qindra fjalë
Në zgavrat e dhëmbjes shuaj afsh të valë.

Po zjen në zemër zemërimi i zi
Përplaset, platitet e zjen përsëri.
Me muzgun muroset i mugët si murg
Me agun agohet i ashpër si gur.

Dhe prapë duron e hesht i pagojë
Ky shkëmb ku koha bën ç’të dojë……..

Dardhë, 31.7.1979.

FUNDSHEKULLI SHQIPTAR

Tymtarët e krimit
vjellin shtëllunga…
qiell i mbyllur, i blozët
hedh shira blozë.

Tymtarët e kartës
brerojnë breshër rrenash
tymtarët e gojës
cipën e ndrangur hedhin…

Fundshekulli shqiptar
ceremonial pambarim
i kortezhit të shpresave…..
11.12.1999.


MOTIV LASGUSHIAN
–MIRJANËS-

Më trokite prej së largu
me një degëz dashurie
miturisht e çmendurisht
më vjen natën si një hije.

Grua je a lozonjare
kërkon prehje apo halle
qofsh qapkëne apo manare
ti më vdiqe, ti më ngjalle.
11.12.1999.
GJENERALËT PENSIONISTË

-Ah, çfarë kukulle, psherëtiu gjenerali
gishti i madh bëri shenjën e asit
-E mirë Mona, po s’është e jona
ia priti gjenerali tjetër
dhe, sytë kafshuan vithet e femrës.

Dy gjeneralët kishin fituar beteja
me armiq të shpikur dhe femra reale
pushtues, ngadhnjyes, lavdishkruar
që nga yjet e togerit gjer tek të gjeneralit.

Por kishte zbritur koha e humbjeve
nëpër presidiume shoqatash me emra buçitës
që të kujtonin qitjet e topave
rrekeshin ta dëbonin vdekjen e lavdinë…

U shfaq kjo femër e kolme me minifund
shpina e çveshur, veluar me tyl
gjoksi provokues me jakën e hapur
dhe ata e kuptuan…..përkohësisht
s’u mbetej më asgjë për të pushtuar.
Lisbonë, 21 tetor 1998.

N ë n ë s

Tani ti je me mua nëpër ëndërrat
Që gjumin ma largojnë ndaj të ghdhirë
Vjen aty e ulesh butësisht
Dhe më thua: ji i drejtë e ji i mirë.
Të jem i tillë s’është predikim
Është detyrim për emrin që lë pas
Për një dëshirë që t‘u dogj në sy
Të më shihje aty lart
Ku nënat vënë ëndërrat e tyre.

Tani ti e ke strehën në kujtime,
Koha ikën,
Mundohet të të marrë me vete
Por ti më vjen
Dhe vjen sërish pendimi
Qortimi i pambaruar
Si errësimet, heshtjet hijet
Që pambarim janë në jetë.

A isha vallë si ti më doje?
A isha vallë siç ti kërkoje?
Dhe a të doja siç ëndërroje?
A të nderoja, të përhiroja
Ashtu sikur më ike të kërkoja?

Ah sa pak e mendojmë vdekjen
E atyre që kemi pranë!
12.11.1978

L a k u

Mbi ju që lakun m’a shtërnguat
Në ditën time të vështirë
Po hedh përbuzjen e mëshirës
Dhe emrin e vetëm – faqenxhirë!

Mëshira i ka hije veç të fortit
Krenarit të vetmuar, zog i qiejve
Që ngrihet e flatron mbi klithje e gjak
Dhe që nuk sheh zhabat zhytur në batak.

Mbi ju që lakun ma liruat
Në orën time të vështirë
Po hedh shkulmet e zemrës dlirë
Pa stepje, lehtësisht porsi fëmijë.

Shenjë e shenjtë

Në kala, në rrugë të verbër
Kisha ime, e Shën Todrit
Ka një shenjë të shenjtë.
Askush nuk e di, askush nuk ma merr!

Barin e brymosi dimri
Muret i thërmoi acari
Në palcën e plloçave
Ka hyrë reaumatizma
Predikimet
Kanë ikur në stratosferë
Aty ku është muzeu i zërave.
Asnjë përshpirtje, asnjë kambanë
Asnjë kurorë nuk është vënë
Përveç asaj kurore zërash
Që vumë ne të dy:
“Martohemi këtu?”
Është një vend, është një shenjë
Përjetë e dashur edhe e shenjtë.

Berat 8.3.1988.


Kaq e vështirë të të duash ty….

Kaq e vështirë të të duash ty!
Sytë e tu me paqen e ullinjve
Dhe buzët me tundim jargavani
Më duket se shpejt do të mi marrin.

Kaq e vështirë të të duash ty!
Zërin tënd me ledhat e pranverës
Shpirtin tënd me butësinë e fëmijës
Më duket se shpejt do të mi marrin!

Në ardhtë dita kur gjithshka të më mërgojë
Dhe unë përsëri të jem “askush” për ty
Do të them prapë gjersa të gjëmojë
S’të desha ndryshe, vetëm kështu!

8.6.1985


Shtëpi e vjetër e fëminisë

Shtëpi e vjetër e fëminisë…
Haper porta e vjetëruar
Porta që për mua është ankuar
Kur vija rrallë, i ftohtë, i vonuar.

Kush rri aty tek terri i koridorit
Kush ecën butësisht porsi një hije
Kush e njeh capin tim, dridhjet e krahnorit
Dhe vjen më prek me frymë fëminie?

Kush thotë ato fjalë të përmallshme
Mos psherëti dhe kokën moe e ul;
Gojëtharë kush thotë se na harrove
Ti ishe larg, ndaj u vonove.

Shtëpi e vjetër e fëminisë…
Hija e nënës mbetur tretur
Po vij! Zemra jote nuk gabohet
Po vij’ Mallkuar qofsha në harrofsha.

Tiranë, 5.6.1982.

Ky tren i çmendur!!!

Më zu’ trishtimi i fushave
Që si mjegull mbrëmësore
Bie përmbi dhe.
Tufat e shkurreve, murana
Kanë ngrirë pa shushurimë.
Ujrat e mbetura prej shirave
Mugin pasqyrën e kuqërremtë
Heshtje përmbi dhe.

Tej dritares së trenit shuhet jeta.
Të vetmuarit e vonuar, shpërngulen si hije
Me hapa të rënduar,
Topitur nga trishtimi i mbrëmjes.
U ngrys dita, u ngrys jeta!

Trishtimi dhembjendjellës i së shkuarës
Tinëz hyn tek unë e më squll dëshirat.
Plogështi e kotësisë!
Kaq shpejt, kaq shpejt, kaq shpejt
Trokon ky tren i çmendur
Treni i ditëve e netëve
Që na la vetëm dhimbjen
Për dashuritë e humbura
Për gëzimet, pasionet pa fre
Shkujdesjet!
Rininë.

Tetor 1976


Fjalë prej fyelli

Vjen një njeri
Më thotë fjalë fyelli
“S’ta them për kompliment,
Ti më njeh mirë
Ti je për ne
Ti je për…
Ti je….
Ti!
Buzëgaz i lodhur
Nga mundimi i stërvitjes
Fjalë fyellore, të plakura.

Vjen një njeri
Në trup, kërmilli gollash
Në gjak, poleni i zemërimit
Në gjuhë, zehëri i pelinit
Që dhëmbët e pengojnë të dalë.
Paçka!
Në qenkam i dobët për të bërtitur
Se rast për sherr ai s’me jep
I lumtur jam që mund t’i fshij
Jargët kërmillore.

Korçë, 23.2.1989.


Telefoni i pazëshëm

Ky telefon s’më lë të fle
Zë i pazëshëm, anonim
A nisesh nga një botë kërcënuese
A nisesh nga një botë pikëllim?
Mos vallë dikë e merr malli për mua
Për “alon” time pak të ngjirur
Mos vallë dikush me plagët e mija
Hapur herët nëpër shpirt
Një balsam pret, që nuk ia dhashë?
O shpirtra të harruar
Sy që nuk i shoh
Buzë që i kam puthur
Dhe pastaj i kam lënduar.
Jam këtu!
Pres i tmerruar.
Jam vetëm dhe pres
Askurrë s’do ta praj trupin e pritjes.

10.12.1997.

Nata e dytë në Berat

U shua hëna që u ndez mbrëmë
Cdo gjë u zhyt ne qetësi
Nga gjithë fjalët që më ke thënë
Njërën e dua ta kem gjithnjë
“Të dua shumë, tjetër nuk di”.

Ku shkoi magjia që kisha mbrëmë
Misteri i ëmbël që po më tret?
Nga gjithë fjalët që të kam thënë
Vetëm një dua ta dish gjithnjë
“Të dua shumë, tjetër nuk di”.


Fillim

Sot në mes të jetës sime a më tutje, kushedi
Eremiti më i vonuar, vij drejt teje poezi.
Të bërtas me zënë e mbytur mbetur m’u në thellësi
Tekë e marrë, e çuditshme, marramendëse. E di!

Durrës, gusht 1977.
P e n d i m

Kur zë e ngryset dita e përhime
Dhe nisin të përgjumen plot vegime
Ca mllefe, ca inate, ca metime
Një tog me hi, një mal zhgënjime
Filloji flas e vras vetveten time.

Pse rashë pre e kotësisë
E kohëhumbjes, rastësisë
E rrethit mëkatar të prapësisë
Ku plot shtriganë të babëzisë
Shtërngojnë lakun e fatkeqësisë?

Kur zë e ngryset dita e përhime
Filloji i flas e vras veteveten time….

20.3.1998
(Kafe “Fan Noli”
MOS IA MËSONI EMRIN

Nëqoftëse do të më kenë vrarë,
Vrasësin larg mos e kërkoni,
nëpër pyjet, rrugët, kafenetë
që aq shumë i kam dashur…….

Nëqoftëse do të më kenë vrarë,
vrasësin kërkojeni brenda dhomës sime
me një dritare grilambyllur,
me një shtrat të madh për dy vetë
nën një jastëk të pazhubrosur,
me një kasetë të Hulio Iglesias
tangoja “Kaminito addios”
dhe një tjetër e një amatori korçar
ku ka një këngë për një grua që lëngon.

Vrasësi im ka disa emra
pasaportar i ndërron sipas ditëve
kurse netëve ka vetëm një emër….
Miqtë e mij, emrin mos ia mësoni
Ju dua, nuk do t’ua tregoj kurrë.
3.1.1998.

TRISHTIMI I IKJES

U zgjua atë ditë
Ish ditë e qullur
xhamat lotonin
kaktuse gjembathyer
Trëndafili vyshkej.
Zërat e dashur shuheshin
nëpër fletë të zverdhura
kurse zogjtë e gëzimit
cicëronin grykëmbytur.

U zgjua atë ditë
ish ditë e qullur
dhe befas e kuptoi.
Jeta kishte ikur…
21.2.1995



O Zot, ç’e hodhe këtë epidemi?
Jetoj të shoh braktisjen, arratinë
“S’bëhet ky vend, ka mallkim
larg të ikim, pa mall, pa kthim”

Përbrenda zjej, shaj e bërtas
askujt një fjalë nuk mund t’i flas
Se do më quajnë të lig, të marrë
dhe shpresëvrasës e ziliqar……
Maj 1998