>
LETERSISHQIP
Ymer Nurka

Gënjeshtra

Qenin, shau një këndes,
Pse kish ngrënë një kokër vezë.
"Më fal! -i thotë Qen’ i murmë,
-Mos e bëj kaq buj’ e zhurmë

Të kam mbrojtur tërë një jetë,
Për një vezë s’bëhet qamet"
"Jo -thotë gjeli nuk të fal!"
Dhe i thotë Zotrisë dy fjalë.

"-Sot pa ardhur mirë mëngjesi
Erdhi dhelpra tek qymesi.
Ndërsa qeni flinte gjumë…"
Fët rrëmben zotnia hunë.

Dhe e rrahu qenë e mjerë,
Të mos flinte tjetër herë.
Qante qeni pranë qymesit:
"Turp të kesh! i thotë këndesit.

Zotnisë, për një vezë,
I the të bardhën të zezë."
"Prap ankohesh! -thotë Këndesi
Prit se prap do vijë mëngjesi!"

Dhe vërtet ditën që vjen
Prap zotninë gjeli gënjen.
"Edhe sot, o zoti im,
Erdhi dhelpra me agim.

Qeni fjeti gjithë natën…"
Fët zotnia merr sëpatën.
Merr sëpatën, merr kërcunë:
"Sa të hajë dhelpra, të ha unë!"

Dhe ç’e rjep gjelin e shkretë
Me ujë-valë në mes legenit
Mishin, seç ia hëngri vetë,
Kockat, seç ia hodhi qenit.