>
LETERSISHQIP
Ymer Nurka

O Mjalti Në Hojë

Dora gjë s’të prek, këmba gjë s’të shkel
Ç'ta zbukuron shtatin, fustani me tel
Tash që hyri Vjeshta dhe Vera po del
O mjalti në pite, vallë kush të vjel

Si në mijra lule, gatuar nga dora
Praruar nga Dielli, freskuar nga bora
Njëzet vite shkuan, ja tek erdhi ora
Përmbi flokun tënd, të vihet kurora

Cili e ka fatin, kush do të provojë
Të të shtrydhë me buzë, të të shkrijë me gojë
Si melhem për shpirtin, pika të pikojë
O mjalti me pite, o mjalti në hojë

Kur të pikosh tinë, moj u bëfsha enë
Në një cep të Botës, atje le t’më venë
Ne të rrimë zgjuar, kur të tjerët flenë
Tretur të dy bashkë, si malli me ngenë