>
LETERSISHQIP
Ymer Nurka

Lirikë Maji

Udha për thëllëza, shtegu për bilbilë
Pse ky fat për mua, çne një fat i tillë
O me katër gjethe, ç’ma deshe tërfilë
Mëndjen moj ç’ma prishe, ç’ma këpute fillë

Unë digjem ndër ethe, ti më ndez kongjillë
Çne ky fat për mua, pse një fat i tillë
Të puthsha sokakun, që çel trëndafilë
Seç ma prishe mëndjen, ç’ma këpute fillë.

Detet t’i dhashë blu, ti m’i do jeshilë
Pse ky fat për mua, çne një fat i tillë
Unë lëvdova Majin, ti më shave Prillë
Mëndjen moj ç’ma prishe, ç’ma këpute fillë.

Unë të zgjova ëndrrën, ti më flake trillë
Çne ky fat për mua, pse një fat i tillë
Ç’naze i bën botës, lëri për bandillë
Seç ma prishe mëndjen, ç’ma këpute fillë

Me një rreze syri, ç’ma dogje fitilë
Pse ky fat për mua, çne një fat i tillë
Po më shteri vaji, ç’e dua kandilë.
Lëmsh ma bëre mëndjen, ç’ma këpute fillë