>
LETERSISHQIP
Ymer Nurka

Sublime

Në det thellë mike të zhytem
Për dy perla kuturu
S’ia vlen aspak, aspak të mbytem
Veç në qofshin syt e tu.

Në mal të lartë, mike të ngjitem,
Për një yll, që do të ndez
S’ia vlen aspak, aspak të vritem
Veç në qofshin syt’ e zes

Të ec në mjegull e në shi
Për të parë një ylber
S’ia vlen moj mike, kurrsesi
Veç për belin, si qemer

As të shkel në shkretëtirë
Për të gjetur një oaz
Jo, s’ia vlen të ngel i shkrirë
Veç për tëndin buzagaz

Të hyj në xhungël, ku s’do mënd
Më pret një tmerr e një llahtar
Veç në gjetsha, flokun tënd
Valë-valë e fije ar

As të mardh mbi akullnaja
Nuk ia vlen asnjë shpërblim
Veç në gjetsha n’ato maja
Buzën tënde, si rubin

Gjithë thesaret në i gjetsha
N’ato maja, n’ato vende
Ardhtë gjumi e mos fjetsha
Jo, pa gjetur zemrën tënde