>
LETERSISHQIP
Ymer Nurka

Kënga E Çobankës

O kjo tuf’ e dhënve, mbushur me shqerrakë,
Nisur, për ku nisur, për në mal të lartë,
Çobani ngarkuar, o me dy vandakë,
Një, e mban për bijën, një, për nënën plakë.

Ah kjo mëndja jote, mbushur me sekrete,
S’mendoje për botën, mendoje për vete,
Ndërsa nën sqetull, mbaje dy sepete,
Njërin, plot me këngë, tjetrin, plot me derte.

Çobankë të thonin dhe pse kishe emër,
Gërshetat e gjata, gati përmbi thembër,
Me mamanë u grindje, si të ishe shemër,
Babai të deshte, si gjaku në zemër.

E vogël më ishe, të madh kishe namin,
Mbi kupkë të gjurit, më mbaje filxhanin,
Kur kaloje lumin e zgjidhje kollanin,
Mbi pulpën bardhoshe, më ngrije fustanin.

Mandilen me lule, ç’e lidhje në grykë.
Mos e shtërngo xhane, se pastaj të mbyt!
Dy kyçet e dorës, plot me byrzylykë,
Kush të pa çobankë dhe s’i mbetën sytë?