>
LETERSISHQIP
Zhuljeta Grabocka

Shtriga Me Sy Të Qeqlta…

Eh, Shtrigë me sy të qeqlta s’di sa kohë ke,
që Ti, kështu mua po më thërret?!
E mbetur peng e magjive të brishta
si një rruzull i larë në ar
po më largon prej Teje
në një tjetër univers!
Nën shkëlqimin e zbetë të Hënës
ka kohë, që Toka të huaj po më ndjen.
Si një gotë kristali
më thërrmove në mijëra thërrmiza
as vetë s’e kuptova, përse!?
– Merre një thërrmizë!!!
Shkëlqimin e dritës së syrit tim në të do të shohësh
Aty, diellin e fshehur do ta gjesh!
Në syrin tim të qelqtë
përlasen të gjitha erërat e globit Jug – Veri
Përherë e më i bukur është mëngjesi im, dhe Lindja!
Perëndimi i ditës bie mbi muzg edhe më i përmallshëm,
si ëndrrat që thurra dikur për ty!
Në horizontin e zhgënjimit tënd krahët i hapa
flladet e oqeaneve për Ty i mbështolla
kur era i përplaste dallgët e mërive tona mbi to.
Në qelqin e syve të mi Ti ktheheshe
si mbi brigjet e shpresave e kështjellave të ajrit
të ndiznim zjarrin, që kurrë s’perëndon…