>
LETERSISHQIP
Arjola Zadrima

M’Pate Thanë

M’pate thanë se vetmia
asht smundje e të vdekunve,
pata qeshë me t’madhe.

Tash ke shkue n’paqe të botës përtejme,
e s’di si me të kallzue se vetmia
asht smundja e të gjallëve,
që mbetën mbas.



***

…edhe unë i kam dashtë burrat e bukur,
me flokë valë,
shpatullgjanë,
buzëperdredhun e nazeli.
Por mbas tyne ishte gjithmonë vjeshta,
mbas tyne kishte rrebesh,
stuhi,
mbas tyne vinte dreqi e i biri.
Mbas tyne porta nuk mbyllej ma,
brava heshtte,
çelësi nuk tringëllinte nëpër natë.
E ti vdes kah pak,
si qiri shkrihesh territ pafund,
e s’pyt pse trishtimi ka nji mbretni aq të popullueme.
Ata s’janë,
s’dinë,
s’bajnë.
Ata veç të pushtojnë,
prej atyne pushtimeve shekullore
sa të ndryshojnë e ti ma nuk ngjan as me Marinë
e as me vedin.
Ikin mbas çdo fundi të shkurtë
e të vjedhin kohën.
I kam admirue burrat e bukur,
por ti erdhe vonë, bash at’herë kur msova
me u dashtë.