>
LETERSISHQIP
Arjola Zadrima

Tim Biri

…bota s’njeh dashni, bir,
ajo asht veç një lamsh i vjetër
që ndjenjat braktis në kishat baroke të një lashtësie apostolike.
Njerëzit abuzojnë me forcën,
tue mendue se Ati i Gjithpushtetshëm ua ka lanë trashigim.
Lypsat shtohen, të vegjlit e tyne thithin të njëjtën sisë,
të tamlit të huej.
Ata t’palamë, t’paveshun e ti i ke frikë.
Janë si na dritë.
Qejve prapë kanë me u gjujtë me shkelm,
mos u tromaks,
atij burrit sot nuk i ka ecë,
e inatin ia qet një qenit të gjorë.
S’di me ta shpjegu pse jeta nganjiherë
asht e shkurtë.
Më fal.
Mbaje mend veç brenda krahëve të mi asht butë,
dimni aty s’mundet me hy,
fryma asht e ngrohtë,
jeta asht TI.
Mbylli sytë, krejt ngjyrat e ylberit merri,
shkrueji andrrat tueja
e banu lajmëtar i dashnisë ma të shenjtë që të kam msue,
asaj për njirin, e krejt çka të prek syni.
Kjo asht guxim…
Se bota asht meskine bir,
kujtojnë se zemrat shiten, e përqafimet blehen shtrenjtë a lirë.
Ata s’dinë sa amël të shtrëngon nana në gji,
pa kurgja mbas shpirtit, veç dashni.
Pash frymën tande, mos u ban si ata.