>
LETERSISHQIP
Ekrem Ajruli

Digjet Shpirti Për Faqen Lëkurëpjeshkë

Të prita netëve me hënë nën degë pishe
T'vijsh në krah fluture me këngë majë buze
Eh, ligjërimi yt cicërimë dallëndyshe
Shpirtin ma galdon ajo buzëqeshje muze

Merrmë sygazelë në krah të këngës sate
Pushtomë n'krah sirene gjer t'zbardh agimi
Ma shuaj prushndjenjën me shije afrate
Shtrëngom n'gjoksin tënd ku mugullon blerimi

Aromë borziloku erëmojnë buzët tua
Më syrgjinos ndër kopshtie ku këndon kumria
Prushbuzët hyjnore të kundërmojnë erëftua
Kukurisje fëllënze seç më sjell Jermia

Digjet shpirt im për faqet lëkurëpjeshkë
Kur dirgjesh si zanë lëndinës bleruar
Rregëtin zemërzeza e digjet prusheshkë
Kujton puthjet hajdutçe shpirti i trazuar

Vijnë këngët tua me erëmim behari
Vijnë të lazdruara rrjedhin gurrgullimë
Syri i gazelës vezullim qelibari
Shkrep mbi ballë timin posi vetëtimë

Derdhet kënga jote mbi do degë lajthie
Dehet shpirt im nga ajo këngë hyjneshe
Në rudina bjeshke çelin degë qershie
Jehon kënga jote simfoni laureshe

Tek dëgjoj atë këngë të zanës epike
Më trazohet malli sa njëqind tërmete
Zjarri nis bubullon nga këngë lirike
Vetullën ma përflakë sot ai bisht komete

Më ngazëllon kënga yte dhe sjell lumturi
Ndaj nisem qiellit me fluturim skifteri
Më dehin prushfjalët tua përplot magji
Do shtrydh mbi ballë tëndin ca ngjyra ylberi

Degdisëm netëndrrave hapin mos e ndal
Derdhi fjalëvalët mbi timen lëndinë
Unë mbi prushkëngë do fry si Mistral
Me buzëqeshje muze hiqma pak mërzinë

Eja më merr muzë mbi ato krahë ere
Derdh ato rreze dielli herët në mëngjes
Mbi buzën e përflakur fry si fllad vere
Të tretem ballit tënd porsi një pikë vesë