>
LETERSISHQIP
Ekrem Ajruli

Sonte Nuk Ka Gjumë

Alpet mijërametra në sorrënatë i kaptova
Në u shembshin rrugët s’më bëhet vonë
Shpirtit tënd limeret sonte ia shestova
T’kërkova në qiellin gri dhe n’retë lehonë

Uturimë makinash seç ma prish qetësinë
Shpirtprozhmit tënd tek kridhem ngadalë
Nën buzëqeshje hyjnie ti fsheh dashurinë
Hukamë nuselale seç më frynë në ballë

Sonte nuk ka gjumë do rri deri në agim
Prushfjalët e mia le t’bëhen dallgë deti
Sonte shpirti im s’ka vend për dëshpërim
Sonte do e gdhi natën me durim poeti

Le të fryjnë erërat sonte me gjekëtimë
Le të përflaket qielli prush të bëhen retë
Do t’u lutem yjeve sonte për pak ndriçim
Drejt zemrës tënde rrugën për të gjetë

Kaptova tunelë dhe fusha kujtimesh
Si drumtarë rebel e pa gjumë në sy
Rrugëtoj sonte mbi fusha përmallimesh
Ndjenjë e përflakur më përcëllon për TY

Drumëtar dashurie me trastë në shpinë
Endem somnabul nëpër shkrimet tua
Në ëndrrat lozonjare kërkoj lumturinë
Kërkoj lotin tënd etjen për të shua…!