>
LETERSISHQIP
Elona Musaj

Maji Po Vjen

Maji po vjen,
pranvera është në kulmin e saj.
Nëse kthej kokën pas, retë e së kaluarës më vështrojnë kërcënueshëm,
të ngjizura ende me plagë të hapura.
Dua të besoj, por brenda dridhem,
si një fletë e brishtë nën egërsinë e stuhisë.
Dëshiroj edhe unë ta kem forcën e erës,
e të fryj tej trazimin që më gozhdon në dyshim.
I betohem vetes se do të jem e fortë,
ndonëse e di
që mjafton një lëkundje e jotja
për të më rrëzuar sërish.