>
LETERSISHQIP
Eva Ceca

Fillim Korriku 2024

Ikja e Ismail Kadaresë
Pika shiu ishin gati, të binin mbi ne, këto ditë
dhe disi ju gëzuam freskisë së beftë.
Por ikja e nxehtësisë erdhi me lajmin e trishtë:
"Ismail Kadare nuk është më në jetë...!"

Pikat e shiut mbetën në gjysmë të rrugës...
Zbritën nga qielli, por nuk ranë në tokë.
Si lotët, që sytë i mbushin, mëngjesit të mugët
dhe diku ngecin, pa u derdhur dot.

Tashmë ti nuk thith më oksigjen në këtë qytet,
mbuluar me kurora dhe psalme patetike.
Si në një ngrehinë egoiste, që sinqeritetin vret,
petaleve të bardha, mes zhurmës, u binte të fikët.

U bënë vite që Tirana ka humbur magjinë e dikurshme
dhe ditë trishtimi ka njohur jo pak.
Por çaste si ky, konturuar komentesh të zhurmshme
më sjellin egërsisht etjen për të dikurshmen, larg...

Kur blinim librat e tu me padurim të bukur,
se aty gjenim veten dhe gjithë Shqipërinë.
Kur e vërteta nuk rrinte askundi, e strukur,
Kur njeriu e besonte, pa egoizëm, njerinë.

Kurse sot..këto pika shiu mbetën në gjysmë të rrugës..
Zbritën nga qielli, por nuk ranë në tokë.
Si lotët, që sytë i mbushin, mëngjesit të mugët
dhe diku ngecin, pa u derdhur dot...