>
LETERSISHQIP

Pranverë Në Udhëkryq

Mendime të mia, ku po më çoni kështu!
Ja dielli po ngroh,
plot aroma vërtiten në erë.
Largojeni mjegullën, që dimri na solli këtu!
Një syth ka në plan të buzëqeshë…
së shpejti do hyjmë në pranverë!
.
Mendime rebele, vallëzoni me stinën e bukur!
Largohuni nga ai nxënësi, që shokun e vrau më kot,
liromëni nga dhimbja për një grua të varfër,
me sytë e skuqur…
dhe fëmijën e saj të sëmurë,
që s’mundet ta shpëtojë dot…
.
Më lini vështrimin ta vesh me të kaltrën e qiellit!
E kërkova gjithë ditën atë udhën,
nga vijnë zogjtë shtegëtarë!
Nuk dua më lajme, që dhimbjen dhe kobin përcjellin,
për gra dhe vajza që vriten
nga meshkuj, si të vënë në garë…!!
.
Mezi po e prisja të vinte kjo stinë e qershive…
Më lini!
Më lini për diellin të shkruaj ndonjë poezi!
Por s’munda!
Një vajzë u vra nën një degë hardhie
nga vrasësi, që më pas qëlloi dhe veten e tij.
.
Dhe fqinja ime e re …
po martohet me një të moshuar.
Në veri të Europës rininë e saj do ta shpjerë…
Të gjithë trëndafilat sikur të më çelnin në duar,
dot s’më gëzojnë,
edhe pse po afrohet pranverë.
.
E kur bëhem gati të nis një javë të mbarë,
më del përpara dikush,
që s’më besohet as vetë.
Një “i afërm” i largët, që ka 20 vjet pa më parë,
vjen sot me gjuhë hipokrite
dhe ditën ma shëmton kur më flet.
.
E futur në kurth,
si e kapur nga ëndrrat e frikshme,
frymëmarrjen kërkoj, që me të ta kaloj dhe këtë herë…
Si ceremoni ritual,
me një muzikë, për dreq të bezdisshme
ritmon një refren: “Gëzohu, po hyjmë në pranverë…”!

DËRGOI: