>
LETERSISHQIP
Eva Ceca

Lotët Mbi Begonjë

Në ballkonin ngjitur,
fqinja ime simpatike
dëneste pas luleve...
Bashkëshortin ja shihja
me një tjetër për dore,
rrugës për punë.
Gruas, që dëneste
në heshtjen e ballkonit,
mbrëmjeve,
përveçse "Si je?"
a "Mirëmbrëma!"..
e ç'mund t'i thosha unë..?!

E di...! Mund t'i thosha...
mund t'i thosha shumë fjalë,
por s'më lejonte
e më ndalte i saji qëndrim,
kur e mbante të shoqin
shtrënguar në rrugë a në shkallë,
në kuadrin "pa të metë"
të çiftit legjitim.

Dhe mbrëmjeve
begonjat lageshin
me lotin që rridhte..!
Unë ndjehesha si begonjat...
pa gojë e pa zë...
Dikur i dhurova një libër,
që ndoshta
më shumë se unë fliste.
Disa ditë me radhë...
dënesat e saj nuk i ndjeva më.

Një ditë vendosa ta lë atë shtëpi,
në mes të lulëzimit.
Më shumë hapësirë më duhej
dhe një rrugë më e qetë.
Thosha plot shkaqe,
kur më pyesnin përsenë e ndryshimit.
Por brenda në zemër,
loti mbi begonjë
ish arsyeja më e vërtetë!