>
LETERSISHQIP
Eva Ceca

Porta E Hapur (Babait Tim)

Tashmë nuk them më asnjë fjalë malli!
Vitet që kanë ikur janë si kasafortë.
Fjalët i ngurosin brenda tek i gjalli
dhe më pas të hekurt e ndërtojnë një portë.

Për Ty, Ati Im, fjalët ja them vetes.
Me asnjë në botë nuk kam ç’të them më!
Kjo ditë përvjetori mbart qirinj, që treten,
imazhe kujtimesh, që pulsojnë në të.

Sa rëndon mungesa nuk e ke provuar.
Nga të dy, fatlumi ke qenë vetëm Ti!
Është kaq pak të t’them se më ke munguar…
Se ç’ngjyrë kanë ditët pa Ty – nuk e di…!

Nën fjalët e lutjeve dhe nën lot të heshtur
firmosur përjetë një koncept nënshtrimi.
Ne, qenie trup-brishta me mendim të hekurt,
kontradiktë e gjallë në një burg amëshimi.

Kontratë e padukshme, tashmë përjetësuar -
Ne të dy me fjalë më nuk flasim dot.
Por nëpër ndjesi vjen e pambaruar
Lidhja e Pavdekshme, yjëzuar – lot!

Nuk ka më kuptim të shqiptoj fjalë malli,
Përjetësia vetë është si kasafortë.
Fjalët i burgos brenda tek i gjalli
dhe më pas… qiellore, lë hapur një portë!