>
LETERSISHQIP

Rikthimet

Më thanë se kur ike për në udhë të largët
Ti more me vete plot fjalë dhe mendime.
Ishte mbrëmje maji me ajër të vakët,
nga ato që yjet i mbajnë si vegime.

Le pas ndjenja plot, zëra, këngë dhe mall.
Fjalët dhe mendimet e dikurshme le.
Më thanë se rikthimet i bëje shumë rrallë,
thanë se copa shpirti lije nëpër re.

Tashti nuk shkon më në vendin e lindjes..!
Mungesën e tij thellë shpirtrat e ndryjnë.
Mesazhin e fundit ma nise me bindjen
se zemrat mbi erëra drejt Atdheut fryjnë.

Ndodh që puna shmang kthimin në Atdhe
dhe kur në mesazhe shprehim nostalgji.
E verteta është: Jo Atij, por ne,
Ne na duhet shumë aroma e tij!

E verteta është se mes largësive,
vetëm vendi yt të vështron në sy.
Se askush s'kujton as ditën kur linde,
përveç tij që shpirtin ndan çdo çast me ty.