>
LETERSISHQIP
Eva Ceca

Kur Shikoj Yjet...

Kur shikoj yjet, shikoj të kaluarën,
jo dritën që lind, por që shuhet me të,
ajo vjen drejt meje nga thellësi të largëta,
Ndoshta kur ylli nuk jeton më.

Një dritë që u nis shekuj më parë,
në heshtje, pa zhurmë, pa emër të thënë,
më prek në shpirt si një dorë e harruar,
si zëri i shuar që dritë ka lënë.

Ndoshta është ylli i një nate të vjetër,
që digjej i vetëm në një botë plot mall
dhe unë e shoh sot, pa e ditur as vetë:
kjo hije e bukurisë është a s’është gjallë.

E çuditshme kjo dritë që s’di gjë për vdekjen,
që ende jeton në syrin tim endacak!
Sa ngjan me kujtimet, ato që nuk kthehen,
por që ndriçojnë shpirtin… edhe kur janë larg.
Nga Përmbledhja Poetike
"Un Amore sotto il Sole del Nord"