>
LETERSISHQIP
Lulëzime Malaj

Kështjellë E Braktisur

Dikur, vizitova një kështjellë të braktisur,
Hyra në sallon ku vallëzonin kontë’... e dukë,
Më ngjasoi me vetminë e një princeshe
Pa kurorë e pa parukë!...

Konturet e pianos mbetur si skelete,
Sikur kuisnin nota baroke, nga Bach...
Dhe lundronin n’ajër, si një fantazmë,
Që mban kokën e prerë nën krah!

Diku, një dorashkë me tantellë gjeta,
Dikur brenda saj, ish një dor’ e ngrohtë,
Që përqafonte me aq elegancë,
Tani i ngjet kështjellës së ftohtë.

Atje ka vite që s’shkel këmbë njeriu,
Si pikëllim i një të vdekuri e kujtoj,
Zhytur n’mister, si "Bukuroshja e Fjetur"
Që pret princin nga gjumi ta zgjoj!