>
LETERSISHQIP

Nënë E Dashur…

Kur të lexosh këtë letër, do të jem larg,
Hapësirës nëpër botë, në fluturim,
Të lash librat e mia, jam aty në varg,
Kur t’i lexosh, do ndjesh timin përqafim.

Mos u mërzit nënë, mbretëresha ime,
Di t’kujdesem për veten, mos ki merak,
Rrugën ma ke shtruar ti me bekime...
Sa ylberi shtrihet mbi të, gjerë e gjatë!

Mora gjithçka që m’duhej nënokja ime,
Valixhen mbusha me ëndërra dhe mall,
Edhe kukullën, që dikur me mua flinte,
Po, zemrën ta lash ty, nga meraku i madh!

Në dhomën time, abazhurin mos e fik,
Të lutem, lëre hapur, si dikur isha fëmijë,
Aty endet fëmijëria ime dhe ka frikë,
Netëve me suferinë me ty do të rrijë.

Nënë, vështro hënën e artë kur të dal’,
Ta dish, po kështu do të bëj edhe unë,
Me buzëqeshjen e saj do të çoj të fala,
E t’i them se më mungon aq shumë...

Ato thinjat e tua nga brengat dhe hallet..,
Falmë nënë, dhe unë të kam munduar,
Mos u lodh, e vetëm mos dil në shkallë...
Do t’vi, si zog shtegtar me mall mbuluar!