>
LETERSISHQIP

Sa Kohë U Bën…

Sa kohë u bën sa s’e mbaj mend,
Më ngjan se shekujsh je larguar,
Kjo ftohtësi, sikur më çmend,
A thua se koha ka ndaluar…!

Dhe malli s’digjet aty në shpirt
Si ca thëngjij bër’ hi në votër.
Siç mund të kesh gjithë pasurinë
Dhe e humbet në një lojë poker.

Dhe malli s’tretet aty në shpirt,
Siç derdha dikur një det me lot.
Siç shkrin dëbora mbi lule prilli,
Siç vyshket një trëndafil në gotë.

Dhe malli s’mbytet nëpër vite,
Siç mbytet një mjegull mbi liqen...
Siç e ka të “gjatë” jetën një flutur
Siç luan vjeshta dram’ në skenë
.
Diku, kumbon një not’ e trishtë,
Në qilar t’kujtimeve përmbytur mall’
Siç cicëron një zog në borë,
Siç përpëlitet një peshk mbi zall.

Malli i rri shpirtit, eh...si relike
Si paj’ e gjyshes n’funde sirtarësh,
Si një mulli ere në sfond të arës,
Krahët bosh vërtit e s’mund të varet.
***
U ndamë një nat’ vere, n’rrugicën time,
Për çudi dhe zemra, i vë portës gurë.
Por, eh, malli, mbeti dhembje shpirtit,
Si tatuazh pikturuar në lëkurë!