>
LETERSISHQIP
Lulëzime Malaj

Të Betohem...

S’e di pse je e lëkundur në lidhjen tonë
Ndoshta me një si unë kurr’ s’je kryqëzuar,
Po ti, ngrima dorën e dashur për udhë...
Të betohem, kurrë s’ke për t’u penduar!

Për ty, gur unaze e ul hënën jeshile,
Qiellin tok me retë, i zbres në tokë,
Dhe e kthej, krejt arenë cirku që rrotullohet,
Buzëqeshja jote vlen sa një botë!

Ndoshta një dit’ qielli bie tok me retë
Dhe e kthen krejt oqean këtë botë,
Një varkëz do t’ndërtoj për ne të dy,
Si Kolombi të zbulojmë një tjetër tokë!

Ndaj, nëse e shemb me taka murin,
E dashur, veç të më thuash - Të dua!
Dhe sikur unë të dua nga ty të ik,
Të betohem, s’do më ndahesh ti mua!