>
LETERSISHQIP
Lulëzime Malaj

Le Të Ik…( Kushtuar Ditës Botërore Të Poezisë)

Le të ik kudo gjetkë, veç larg nga ti,
Le të jet’ stepë a çfarëdo shkretëtirë!
O Zot, ti paske qenë një magjistrickë,
Më mban skllav edhe pa zinxhirë!

Këtë dashuri dua ta zhduk, ta flak,
Natyrisht lule do çel dhe në shkëmb!
Do t’ia mbyll sytë dhe do ta lëshoj,
Do ik pa kthim dhe pse më dhemb!

Ta hedh në ndonjë hon a shpellë,
Por pendohem, se prapëseprapë,
Mbes gjysmë vdekur e gjysmë gjallë,
Dhe po e hodha si ta gjej prapë!?

Pa të e di që do te jem krejt bosh,
Ndaj kësaj sëmundje ia ruaj kartelën!
Është njësoj, sikur në një çast të vetëm,
T’ia heqësh guaskës perlën!